Italia edhe të enjten ishte nën kontrollin e valës së tretë të të nxehtit të verës edhe pse kulmi i saj kaloi të mërkurën.
Numri i qyteteve të mëdha italiane në alarm të kuq ra nga 23 në 18. Ato janë Ancona, Bari, Cagliari, Campobasso, Catania, Civitavecchia, Firence, Frosinone, Latina, Messina, Napoli, Palermo, Perugia, Pescara, Reggio Calabria, Rieti, Roma dhe Viterbo.
Kur ministria e shëndetësisë vendos një qytet në alarm të kuq, kjo do të thotë se nxehtësia është aq e fortë sa që konsiderohet një kërcënim për të gjithë popullsinë, jo vetëm për grupet e cenueshme si të sëmurët, të moshuarit dhe fëmijët e vegjël, shkruan Ansa, përcjell KosovaPress
Ministria e Shëndetësisë nxori udhëzime se si të përballen njerëzit me valën e të nxehtit.
“Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet të moshuarve dhe fëmijëve”.
“The Times” e ka quajtur Romën "Qyteti Infernal" për shkak të nxehtësisë nëpër të cilën po kalon.
Një studim i koordinuar nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global dhe i botuar në revistën Nature Medicine javën e kaluar vlerësoi se mbi 18,000 njerëz vdiqën në Itali për shkak të nxehtësisë intensive që kombi ka pasur verën e kaluar.