Ismaili takohet me kryestatisticientin e FMN-së, diskutojnë për reformat dhe zhvillimet në fushën e statistikave
Lexohet për: 3 min.
Ismaili
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Në kuadër të takimeve pranverore në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington D.C., Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili i shoqëruar nga bashkëpunëtoret e tij, zhvilloi takim me Drejtorin e Departamentit të Statistikave dhe njëherësh Kryestatisticient i FMN-së, Bert Kroese bashkë me ekipin e tij.

Në takim u diskutua për reformat dhe zhvillimet e ardhshme në fushën e statistikave, në funksion të avancimit të përgatitjes së të dhënave, rritjes së transparencës dhe informimit më të qartë të publikut.

Gjatë takimit u diskutua më konkretisht për avancimin e raportimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës nga Sistemi i Përgjithshëm i Shpërndarjes së të Dhënave (GDDS) në Standardin e Veçantë të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS) dhe ngritjen e kapaciteteve të BQK-së në këtë fushë, avancimin e ndërtimit të Indeksit për Llogaritjen e Çmimeve të Patundshmërive (IÇPB), mundësinë e ndërtimit të një modeli për matjen e parasë së gatshme në qarkullim dhe avancimin e përpilimit të llogarive kombëtare.

Gjithashtu është biseduar për avancimin e metodologjive për statistikat financiare qeveritare, si dhe bashkërendimit ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të kualitetit të të dhënave.

Avancimi i reformave në këto fusha do të ketë ndikim në politikë bërjen ekonomike, vlerësimin e aseteve, parandalimin e pastrimit të parave, mbikëqyrjen më efikase të institucioneve financiare, të gjitha këto në funksion të stabilitetit financiar dhe ekonomik të Republikës së Kosovës.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen ndaj FMN-së për asistencën e vazhdueshme ndaj BQK-së dhe i njoftoi drejtuesit e lartë të këtij institucioni për reformat e ndërmarra nga institucioni që e drejton dhe gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë si në fushën e statistikave ashtu edhe në sferat tjera me rëndësi në kuadër të fushëveprimit të BQK-së.

Në kuadër të takimit, është konfirmuar se mbështetja e FMN-së për BQK-në do të vazhdojë edhe në të ardhmen në funksion të ngritjes së kapaciteteve dhe reformave të zhvillimit në fushën e statistikave, si një rëndësi e veçantë për informimin e drejtë dhe transparent të qytetarëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025