Analisti i çështjeve të sigurisë Avni Islami ka folur rreth vrasjes së policit serb në Lloznicë dhe Faton Hajrizit, si dhe vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Serbi.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se incidenti është shfrytëzuar për ta akuzuar Kosovën.
Islami shkruan se Scholz pritej që në Serbi të kërkonte arrestimin e Radojçiq, por nuk e bëri këtë pas incidentit i cili e heshti rastin.
“Duhet cekur se pas incidentit që ndodhi rreth 9 km nga vendi ku do të ndërtohen minierat për litium, qytetarët e këtyre anëve e kishin të pamundur për të protestuar për shkak të shtetrrethimit të gjithë zonës nga forca të mëdha policore. Dje gjatë tërë ditës raportuan mediat serbe, por edhe MPB-ja serbe se si Faton Hajrizi u ndihmua nga grupe kriminale serbe që të shkojë deri në zonën e cekur, duke e ditur faktin që i njëjti nuk kishte në plan të dorëzohej dhe ishte i armatosur, pritej të ketë incidente të cilat ka gjasa që ishin të planifikuara. Është e habitshme se si nuk u lokalizua i dyshuari më herët, mbase ky nuk ishte qëllimi. Faton Hajrizi më parë ishte në vikend në shtëpi dhe është kthyer në burg. Ndryshimi dhe qasja e tij që të largohet nga burgu i tipit të hapur ka ngjallë dyshime se me shumë gjasë, një mbështetje e fuqishme, nxitje dhe përkrahje financiare, mund të ketë ndikuar në arratisjen e tij. Tashmë dihen me emra dhe mbiemra se personat që e kanë ndihmuar Fatonin në Serbi, janë serbë dhe njëri prej tyre i arratisur nga burgu. Është e pakuptimtë se si një në arratisur të lëvizë i lirë me veturë dhe të angazhohet për transportim të qytetarëve. A është koincidencë apo plani serb se vetëm një ditë më herët, në Serbi kanë deklaruar që Kosova dhe BeH po përgatitin plane për destabilizim të Serbisë. Incidenti ka ndodhur afër kufirit dhe me gjasë është supozuar largimi i sulmuesit për në BeH, apo më pas në Kosovë.”