Ish-oficeri i ushtrisë britanike, Douglas Young, e ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve. Kjo dëshmi lidhet me Ymer Xhafiqin që sipas tij ishte rrëmbyer por për të cilin nuk tregoi asnjë provë që ishte mbajtur nga UÇK apo që ishte keqtrajtuar.
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, ai është përgjigjur në pyetjet e avokatëve mbrojtës si dhe trupit gjykues.
Pjesë nga dëshmia:
Avokati Emmerson: Në hetimin që keni bërë keni vërtetuar që ai ishte oficer i MUP-it i regjistruar, apo jo?
Avokati Emmerson: Por siç e dini, si pjesëtar i forcave të armatosura i regjistruar në mënyrë të duhur dhe i uniformuar nuk ka rëndësi a jeni kuzhinier apo merreni me trafikun.
Dëshmitari Young: Nuk e di as njërën as tjetrën, nuk e di a e ka pasur uniformën apo jo, në kohën kur është ndaluar.
Dëshmitari Yoing: Më duket pyetja e vështirë, bëhet fjalë për një person që shkonte në punë nuk po flasim për pjesën morale të historisë.
Avokati Emmerson: Por operacione e MUP-it, edhe ata në fakt në një farë mënyre po shkonin në punë kur bënin luftime, bëhet fjalë që kemi forcat e MUP-it që po luftonin kundër UÇK-së përpara dhe menjëherë pas kësaj ngjarje.
Aty u bë e ditur se në atë zonë ku po kryheshin hetime më 9 mars, një ditë më herët kishte pasur të shtëna në mes të MUP-it dhe UÇK-së.
Në këtë kontekst dëshmitari e pranoi se këto forca ishin rrezik për pjesëtarët e UÇK-së.
Ndërsa kur është pyetur se si e ka mësuar për ndalimin e Xhafiqit, dëshmitari ka thënë se kjo ishte bërë e ditur përmes radios nga shtabi i misionit.
“Informacioni i parë që kemi marrë është që thjesht është rrëmbyer, dhe u hamendësua që nëse ishte rrëmbyer atëherë do ta kishte rrëmbyer dikush nga ana e shqiptarëve. Por nuk pati informacione në ato momente se për llogari të kujt kishte ndodhur përveç që nga ana shqiptare...Kjo frazë është e një raporti që unë e kam parë vetëm gjatë një dëshmie, nuk jam i sigurt për fjalën komandë, por Shtabi i Përgjithshëm me siguri u përmend më vonë gjatë asaj dite. Në fillim unë pata përshtypjen që dikush i lidhur me UÇK-në ishte i përfshirë, por thjeshtë përfshirje e UÇK-së, jo Shtabit të Përgjithshëm në atë fazë”, ka thënë ai.
Dëshmitari i 25 ka shërbyer në kuadër të misionit Vëzhgues Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, pastaj edhe misionit të OSBE-së.
Ai ka thënë se është kthyer në Kosovë edhe pas luftës, kësaj radhe si pjesë e KFOR-it.
Douglas Young është dëshmitari i tretë ndërkombëtar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve i cili njësoj si dy të tjerët ka dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seancë të hapur për publikun.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë të hënën e 25 shtatorit me dëshmitarin e radhës së ZPS-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.