Ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, njëkohësisht deputet i PDK-së, Hisen Berisha, sot, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që ta nderojnë dhe respektojnë vlerat e luftës.
Nga Kosharja, ai u shpreh se qyterarët duhet të solidarizohen me ish krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, të cilët po mbrojnë vlerat, që siç tha, qëndrojnë në themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës.
Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.