Një ish-deputet indian, i dënuar për rrëmbim, është qëlluar për vdekje në një transmetim direkt në televizion bashkë me të vëllain.
Atiq Ahmed, i cili ishte nën shoqërimin e policisë, po fliste për gazetarët në momentin që disa persona nxorën armën dhe e qëlluan në kokë. Ngjarja ndodhi në Prayagraj, i njohur ndryshe si Allahabad.
Dhjetëra raste, duke përfshirë rrëmbim, vrasje dhe zhvatje, janë regjistruar kundër Atiq Ahmedit gjatë dy dekadave të fundit. Ai dhe dy persona të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm në mars të këtij viti për një rast rrëmbimi.
Ahmed kishte pohuar më parë se ishte kërcënuar me jetë nga policia. Në pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare shihen Ahmedin dhe vëllai i tij, Ashraf, të dy në pranga, duke folur me gazetarët rrugës për një kontroll mjekësor në një spital disa sekonda para se të qëlloheshin të dy.
Fjalët e tij të fundit para kamerës janë: “Nuk na morën, prandaj nuk shkuam”, raporton A2 CNN.
Tre sulmuesit e dyshuar, sipas policisë, kishin mbërritur me motoçikleta ndërsa në vendngjarje kanë mbetur të plagosur edhe një polic dhe një gazetar.