Ish-kryeministri Isa Mustafa, marrëveshjen e sotme të arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e ka quajtur si një hap normal.
“Tani e kam parë si një veprim normal, sepse si kryeministër kam marrë pjesë për implementimin e marrëveshjes. Në fakt Serbia gjithnjë ka prolonguar arritjen e marrëveshjeve. Me rëndësi të mendojnë ata që dikur kanë kundërshtuar këtë marrëveshje”, tha ai.
Ndërsa për licencimin e firmës serbe “Elektrosever” nga ZRRE, Mustafa tha se kjo është një procedurë tjetër.
“Procedura e dytë ka qenë në marrëveshjen e vitit 2015 dhe ka qenë një afat i cili është dhënë për regjistrimin e firmës në bazë të kërkesës së Elektroekonomisë ose Elektroprivreda të Serbisë, por ata nuk e kanë bërë kërkesën atëherë, duke iu adresuar në mënyrë kushtetuese institucioneve të Kosovës dhe ne nuk e kemi pranuar kërkesa tjera pa u bërë adresimi i saktë i institucioneve të Kosovës”, tha Mustafa në RTK Prime.