Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot (e martë) një zyrtar policor në Gjakovë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Ngacmim” dhe “Dhunim”.
Inspektorati Policor kishte pranuar informacione dy ditë më herët nga Policia e Kosovës dhe ankuesja e cila ka denoncuar rastin në të cilin rast ky zyrtar policor dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme.
“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.