Ipeshkvia Prizren-Prishtinë dënon ngjarjet në veri: Përgjegjësit të vihen para drejtësisë
Ipeshkvia Prizren-Prishtinë ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen aktuale në veri të Kosovës dhe ka dënuar fuqishëm çdo akt dhune që cenon paqen dhe rendin publik në vend.
Ipeshkvia tha se kushdo është përgjegjës për humbjen e jetëve të njerëzve duhet të vihet para përgjegjësisë.
Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, në meshën e së dielës në Katedralen Shën Nënë Tereza, ka shprehur indinjatën e tij të thellë për gjendjen e rëndë dhe është lutur që Zoti të preh në paqe policin e vrarë e t’i ngushëllojë familjaret e tij, e të plagosurit të kenë shërim të shpejtë.
“Ftojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendore që ta marrin seriozisht gjendjen e krijuar dhe t’i japin përgjigjen e duhur për ta ruajtur paqen si domosdoshmëri dhe dobi për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe me gjerë”, thuhet në deklaratë e Ipeshkvisë.
Ipeshkvia shtoi se mbetemi në lutje të vazhdueshme që kjo situatë e krijuar të përfundojë sa më shpejtë dhe rendi e siguria të kthehen sa më parë.