Investimi 1 miliard dollarë i dhëndrit të Trump në Sazan, Rama flet për herë të parë
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur sot për herë të parë edhe mbi projektin e paraqitur nga dhëndri i ish-presidentit Donald Trump lidhur me investimin e rreth 1 miliard dollarë në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

Teksa i drejtohej asamblesë socialiste të PS-së, ai tha se ishulli ku do të investojë një nga firmat më prestigjoze të hotelerisë në botë, kthehet në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.

“Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy sipërmarrje të mëdha në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së shtatë amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë pastaj me rregull treshi se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij, ju kujtohet si thoshin atëherë për mua kur u zgjodh, po ja ku jam këtu sot, i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe të shohin rrufetë e akuzave dhe të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Soros që kam hyrë në një mega aferë korruptive për djalin për shpirt të armikut më të betuar të Soros.

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjioze të hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s, në Azi dhe Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është që Shqipëria kampione e turizmit në rajon në 2030 nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërme të ndritur, por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet me plane dhe masa konkrete që krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik,” tha Rama. /tch

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024