Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog gjatë ditës së sotme është takuar me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, me të cilin kanë biseduar për projektet që financon BE dhe ndihmën që po jep ky donator për të ndihmuar në zhvillimin e këtij qyteti.
Pas takimit, Szunyog ka vizituar edhe objektin komunal në ndërtim, ku nga afër ka parë punën që është duke u zhvilluar aty. Ndërsa, vizita tij ka vazhduar duke vizituar bizneset; një pasiçeri, një biznes i vogël, rrobaqepësi, ku ambasadori ka diskutuar për punën dhe sfidat që po hasin këto biznese.
"Ne kemi inauguruar një nga projektet më të mëdha këtu për ngrohjen qendrore dhe jam i kënaqur që janë disa aktivitete në kompaninë e ngrohjes që në fakt këtë vit do të ishin edhe kjo ... e energjisë elektrike në fakt nga ky impiant, në mënyrë që të jetë një përmirësim i mëtejshëm i modelit të biznesit të kompanisë. Jam pak i mërzitur që sot nuk mund ta përurojmë ndërtesën e re të komunës sepse shpresoja që kjo do të ishte një çështje dhe një pjesë e vizitës sime këtu, por ne prapë do ta vizitojmë, e kuptoj që ndërtesa është pothuajse e përfunduar dhe ne të dyja palët do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t'u siguruar që kjo të përfundojë këtë vit. Pra, përsëri, bashkëpunim shumë i rëndësishëm, një projekt i madh dhe dua të falënderoj kryetarin e komunës për bashkëpunimin e mirë gjatë qëndrimit tim, dhe jam i sigurt se do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm edhe për pasardhësin tim", ka thënë ai.
Ndërsa, ka vlerësuar aktivitetin e komunës në lidhje me komunitetin joshumicë.
Ambasadori po ashtu ka falënderuar kryetarin Gjini si një partner të mirë për projektet e BE-së.
Falënderues për përkrahjen e vazhdueshme nga BE, është shprehur kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini.
"BE është donatori më i madh në Gjakovë, por edhe në gjithë Kosovën, mirëpo komuna jonë ka përfituar shumë projekte të ndryshme. Dy që janë më të mëdha, ngrohëtorja e re me biomasë, e cila është financim pothuajse i plotë nga BE, me participim të komunës që është më modest. Po ashtu, e kemi edhe objektin e ri të komunës, që në pjesën dërmuese financim i BE-së, por edhe shumë projekte tjera të cilat janë më të vogla, por shumë të vlefshme për komunën tonë. Populli i Kosovës duhet me qenë mirënjohës, populli i Gjakovës është mirënjohës për këtë mbështetje të parezervë që kemi pas deri tash", ka thënë Gjini.
Falënderues ndaj ndihmës së Bashkimit Evropian janë shprehur edhe qytetarët e kësaj komune.