Institucionet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Për t’iu kundërvënë atyre, autoritetet kanë bërë hapa, duke forcuar softuerët.
Nga Qendra nacionale për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike – që funksionon në kuadër të Agjencisë për Komunikime Elektronike – bëjnë të ditur se gjatë shtatorit një institucion shtetëror ka njoftuar se ka qenë cak i sulmeve kibernetike. Por, kjo qendër nuk dha detaje se për cilin institucion bëhet fjalë.
Drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike, Jeton Akiku, në gusht të këtij viti kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se në Qendrën për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike ishin përgjigjur 155 incidente, prej të cilave, 12 ishin më serioz.Në fillim të shtatorit, sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë maqedonase nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Aitonix në Shkup në vlerë prej 23 milionë eurosh për licenca softuerike për mbrojtje nga sulmet kibernetike.
Marrëveshja është më e shtrenjtë për 8 milionë euro sesa ajo që ekzekutivi maqedonas kishte nënshkruar tre vjet më herët po për mbrojtjen e institucioneve nga sulmet kibernetike. Marrëveshja ishte nënshkruar nga sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili aktualisht po përballet me një proces gjyqësor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
VMRO-ja ka kërkuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë këtë rast, duke pretenduar se programi i kompanisë Aitonix ka lidhje të ngushta me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Por, nga Qeveria janë arsyetuar se rritja e vlerës për sigurimin e softuerit për mbrojtjen e institucioneve ka ndodhur sepse ka të bëjë me një numër më të madh të institucioneve që do të duhet të mbrohen nga sulmet kibernetike.
Por, eksperti i inxhinierisë informative, Bozhidar Spirkoski, thotë se problemi mbetet në sigurimin e një kuadri cilësor për mbrojtjen e institucioneve.
“Paga është një faktor në vete, por gjithsesi edhe vazhdimësia e realizimit të strategjive të dakorduara, pavarësisht nëse ka pësuar ndryshime udhëheqja politike, përkatësisht drejtuesit e institucioneve. Kuptohet, paga është e rëndësishme edhe në sektorin shtetëror është më e ulët, por ka përfitime të tjera. Për të mbajtur kuadro të inxhinierisë informative kërkohen ndryshime, por gjithsesi për të pasur sukses në luftën kundër sulmeve kibernetike, duhet të ketë vazhdueshmëri sa i përket realizimit të strategjive, që gjë mungon te ne”, thotë Spirkoski.
Sipas këtij projektligji duhet të themelohet agjencia për digjitalizimin,sigurinë kibernetike dhe transformimin digjital. Kjo agjenci do të ketë për detyrë koordinimin e çështjes së sigurisë kibernetike për të gjitha institucionet në Maqedoninë e Veriut. Për këtë agjenci është paraparë të ndahet një buxhet vjetor prej 21.5 milionë eurosh./Alsat.M/