Këtë vit ka një rënie të theksuar të vdekjeve në vendet e punës krahasuar me vitet e kaluara, ndërkohë që ndërtimtaria vazhdon të mbetet sektori më i rrezikshëm. Vetëm para disa ditësh, një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës Liman Musliu ka rënë nga një lartësi teksa po punonte në një objekt banesor.
Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, gjatë vitit 2022 janë regjistruar 15 vdekje në vendin e punës, në vitin e kaluar ka rënie të numrit në 11, teksa gjatë periudhës janar-tetor 2024 kanë ndodhur pesë vdekje prej tyre vetëm dy në ndërtimtari.
Institucioni i Avokatit të Popullit, në shkurt të këtij viti ka adresuar raportin për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe funksionimin e mekanizmave që e rregullojnë këtë fushë.
Zëvendësavokatja e Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj ka thënë se në raportin që kanë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave dhe Inspektoratit të Punës, janë identifikuar edhe sektori i shëndetësisë dhe gazetarët si të rrezikuar. Ajo thotë se deri më tani vetëm MSH-ja ka kthyer përgjigje dhe pritet implementimi i rekomandimeve.Pas rastit të ushtarit të FSK-së Liman Musliu, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në një shkresë ndaj institucioneve përkatëse, duke kërkuar të angazhojnë kompani të specializuar, në mënyrë që të parandalohen rastet e ngjashme në të ardhmen.