Qeveria e Kosovës (Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit), në planifikimin e prokurimit për vitin 2023 kanë paraparë 935 aktivitete, prej të cilave janë iniciuar vetëm 336 aktivitete të rezultuara me 489 kontrata. Vlera e tyre e përbashkët është 442 milionë euro, ndërsa e kontratave kanë vlerën rreth 84 milionë euro, 28 milionë euro prej tyre janë të kontratave të paplanifikuara.
Kështu thuhet në raportin e “Performanca e Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e prokurimit”, të publikuar nga Iniciativa për Progres (INPO).
Hulumtuesi nga INPO, Arbër Kabashi, ka theksuar se gjatë vitit 2023 nga 17 autoritete kontraktuese kanë nënshkruar 152 kontrata, 489 janë kontrata që kanë qenë të planifikuara dhe 463 kontratave të paplanifikuara.
Kabashi, ka shtuar se Ministria e Drejtësisë, ka tejkaluar planifikimin e prokurimit për 311 për qind, për shkak se ka nënshkruar dy kontrata që kanë të bëjnë me përfaqësim ligjor të ministrisë të cilat nuk kanë qenë fare në planifikim të prokurimit, vlera e të cilave është mbi 1.2 milionë euro.
Kabashi ka shtuar Ministria e Infrastrukturës, ka paraparë kontrata për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë në vlerë rreth 10 milionë euro, por kjo kontratë sipas tij nuk është iniciuar, është iniciuar vetëm aktiviteti për hartimin e projektit.
Drejtoresha ekzekutive e INPO-s, Albulena Nrecaj ka thënë se për të qenë më të saktë në krahasimin e të dhënave, INPO ka përdorur sistemin elektronik për të parë përputhshmëritë e të dhënave, sepse sipas saj, shpeshherë nuk përputhen ato me sistemin e iProkurimit.