Infeksioni me norovirus shpërthen në liqenin italian, mbi 300 të shtruar në spital
Bota
Lexohet për: 2 min.
3 ditë më parë
Linku u kopjua

Më shumë se 300 pacientë janë shtruar në spital, me shumë të tjerë që vuajnë nga diarre, të përziera, ngërçe ose ethe pas një shpërthimi të norovirusit në Torri del Benaco pranë liqenit Garda në Italinë veriore, njoftuan sot autoritetet.

Më shumë se 900 raste u regjistruan në bregun lindor të liqenit, përndryshe një destinacion popullor pushimesh.

Supozohet se virusi përhapet përmes ujit të pijshëm nga rubineti, teksa autoritetet lokale kanë udhëzuar banorët të blejnë ujë në shishe, ndërsa uji i pastër shpërndahet pa pagesë.

Shpërthimi i virusit besohet të jetë i lidhur me nivelet e larta të liqenit pas shirave të dendura në javët e fundit, të cilat kanë pushtuar sistemin e ujërave të zeza, por  nuk ka ende një konfirmim zyrtar për këtë.

Autoritetet lokale thanë se po përpiqen të përcaktojnë se si po përhapet virusi. Ndërsa gjurmët u gjetën në ujin e pijshëm të premten, testet e mëvonshme nga furnizuesi i ujit rezultuan negative. Megjithatë kryebashkiaku Stefano Nicotra bëri thirrje për kujdes të shtuar.

"Mos përdorni ujin e rubinetit për përdorim personal ose për ushqim. Uji nuk duhet të përdoret për gatimin ose larjen e ushqimeve”, tha ai.

Qyteza italiane normalisht ka vetëm 3 mijë banorë të përhershëm, por tani pret edhe shumë turistë. Norovirusi është shumë ngjitës, por zakonisht jetëshkurtër.

Simptomat e zakonshme përfshijnë të vjella, diarre dhe ngërçe në stomak. Ato më pak të zakonshme mund të përfshijnë ethe ose të dridhura të shkallës së ulët, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Simptomat zakonisht fillojnë një ose dy ditë pas prekjes me virus, por mund të shfaqen edhe 12 orë pas ekspozimit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024