Incizimet nxisin reagime, Kusari me gjuhë të papërshtatshme ndaj deputetëve shqiptarë
Lexohet për: 5 min.
mimoza-kusari-100723
1 vit më parë
Linku u kopjua

Gazeta “Nacionale” ka publikuar tashmë edhe incizimet e reja mes Mimoza Kusarit dhe Sllavko Simiqit. Në këto incizime të reja, shefja e deputetëve të VV-së përdor gjuhë të papërshtatshme ndaj disa kolegëve të tjerë shqiptarë.

Kusari i flet Sllavko Simiqit në veten e parë, dhe i shpreh në këto incizime keqardhjen e saj që duhet të takohen në mënyrë të fshehtë.

“Dëgjo Sllavko, më vjen vërtet keq për gjithçka që po ndodh. Unë, nga të gjithë njerëzit këtu, do të dëshiroja që së pari Kuvendi të funksionojë si duhet. Ti e di që unë nuk kam qenë me Vetëvendosjen kur kanë bërë atë çfarë kanë bërë...”, dëgjohet duke i thënë Kusari politikanit Simiq qysh në nisje të incizimeve të sotme.

Mimoza Kusari më pas e akuzon te Sllavko Simiqi ish-kryeministrin Haradinaj dhe “këta të PDK-së” për fryrjen e listave të veteranëve të luftës. Në një moment, derisa po flisnin për TRUST-in pensional, ajo i drejtohet Simiqit me fjalët: "...a e din bre ti kush është Bekim Haxhiu?".

Ajo fjalë të këqija para Simiqit flet edhe për Uran Ismailin, të cilin e quan “idiot patetik” megjithëse e pranon se me të kishte pasur dikur shoqëri.

“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është... Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemtë urbanë që kanë shkuar në PDK”, dëgjohet derisa i thotë shefja e grupit parlamentar të VV-së.

REAGIMET

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të përgjimeve ku protagonistë janë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ku flasin për veteranët e UÇK-së.

Haradinaj ka thënë se turpi ka emër.

“Turpi ka emër”, është shprehur shkurt anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi në lidhej me incizimet pasi në të Kusari-Lila gjatë bisedës duke dashur t’ia kujtojë rastin, i thotë Simiqt “a e di atë Enevr Zymberin që e kanë vrarë”.

“Enver Zymberi ka vdekur pas plagëve të marra nga grupet kriminale në veri të vendit në korrik të vitit 2011. Pas shkeljeve të vazhdueshme që po u bënte Serbia marrëveshjeve të CEFTA, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës pati vendosur masat e reciprocitetit.

Meqë pika 1 dhe 31 në pjesën veriore të vendit menaxhohej nga EULEX, zyrtarët e BE refuzuan të zbatojnë vendimet e Qeverisë së Republikës, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në atë moment vendosi të dërgoj njësinë ROSU në veri. Bandat kriminale u organizuan dhe aty Enver Zymberi mori plagët që i sollën vdekjen. Por, misioni nuk u zbraps. Sot e atë ditë, policët dhe doganierët tanë janë në dy pikat kufitare në veri të vendit. Po, Enver Zymberi është ai polici hero, me shokë shumë. Kaq për sonte”, shkroi Çitaku.

Një reagim ka bërë edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

Xhemaili thotë se Kusari-Lila ishte shtirur kinse po i mbron nënat gjakovare nga Jabllanoviqi, derisa sipas tij kjo del se “është bashkëpunëtorja kryesore e Radojçiqit”.

“Kjo seksere kronike që çirrej në Gjakovë kinse i mbron nënat e të zhdukurve nga Jabllanoviqi i Listës Serbe, sot shihet se është bashkëpunëtorja kryesore e Radojçiqit. Dmth kjo seksere kronike paska qenë gjithmonë në koordinim me Listën Serbe vetëm se në vend të Jabllanoviqit paska preferuar Radojçiqin e Simiqin”, ka shkruar ai.

Kryeministri Albin Kurti i quajti “interpretime partizane”, publikimet e audio-incizimeve mes Mimoza Kusari Lilës dhe Slavko Simiqit. Sipas tij, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka interpretime. Po ashtu, ai theksoi se këto incizime janë të gjymtuara dhe redaktuara dhe shtoi se me ato duhet të merren organet e drejtësisë. Shefi i ekzekutivit tha se Qeveria e Kosovës ka zero varësi nga Lista Serbe.

Këto komente kryeministri i bëri në vënien e gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë.

“Aty shefja e grupit tonë parlamentar dëgjohet disa sekonda, e shumë minuta ka interpretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vet për atë që po dëgjojnë, e që qartazi është një incizim, i cili i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të. Shefja e grupit tonë parlamentar natyrisht që jo vetëm që komunikon e bashkëbisedon me shefat tjerë të grupeve parlamentare, ajo e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsorizon Qeveria e Kosovës të përpiqet që të sigurojë sa më shumë vota, në mënyrë që sa më e madhe të jetë shumica atëherë kur një projektligj në Kuvendin e Kosovës bëhet ligj”, deklaroi Kurti.

Tutje, Kurti tha se qeveria që udhëheq ka zero varësi nga Lista Serbe dhe se, siç shtoi ai, ka luftë hibride nga Serbia kundër shtetit të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024