Është bërë inaugurimi i veprës së artit në hapësira publike “Never Say Never” e artistit Alban Muja. Kjo vepër rrjedh nga diskutimi televiziv politik i Adem Demaçit dhe të burgosurve të tjerë në vitet e 90-ta, kur luftërat në ish-Jugosllavi kishin shpërthyer dhe “Never Say Never” është thirrje për të mos hequr dorë nga liria e barazia.
Artisti Alban Muja është shprehur i kënaqur që pas një punë të gjatë kanë arritur ta përfundojnë këtë vepër. Ai ka treguar idenë e kësaj vepre.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e ka përshkruar Adem Demaçin si një figurë qendrore të rezidencës kombëtare.
Çeku, po ashtu, tha se hapësirat publike të qyteteve duhet të jenë hapësira për më shumë art mes publikut dhe veprave të artit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një fjalë rasti tha se kjo vepër duhet të merret si një pikënisje e gjithë popullit që nëse besohet mund të arrihet çdo gjë.
“Ka një kuptim të madh që e përjetëson punën e shumëvjeçare të Adem Demaçit, të njeriut të madh të gjithë shqiptarisë, përjetëson gjithashtu edhe fjalën e tij që e kishte thënë në Beograd “Kurrë mos thuaj kurrë”, në kohën kur ndoshta shumë pak guximtarë kanë mundur të shprehen lirshëm për këtë fokusin e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme, ku e vetmja rrugë për Kosovën është ajo e pavarësisë, e këtë e ka thënë me gjithë shpirt Adem Demaçi midis Beogradit. “Never Say Never”, duhet të merret si një pikënisje e gjithë popullit tonë që nëse ne besojmë mundemi të arrijmë çdo gjë, fjalë që e ngrit vetëbesimin në popullin tonë, është fjalë që i kujton të gjithë të burgosurit politikë që kanë qëndruar stoik në lidhje me këtë, që po mundemi të jemi të lirë, të barabartë dhe që mundemi të arrijmë atë që besojmë”, tha Rama.