Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë mbikëqyrjes permanente të situatës epidemiologjike në vend ka konstatuar një rritje të lehtë të rasteve të Kollës së mirë (Pertussis), krahasuar me vitet e fundit.
Gjatë vitit 2024, IKShPK ka regjistruar 8 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja.
Sipas njoftimit të IKShPK-së komplikimet më të shpeshta janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet, etj.
“Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat, ndërsa mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të fëmijëve. Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajshe”, thuhet në njoftim.
IKShPK u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.