Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se po e përcjell me vëmendje epidemiologjinë e mpox që nga paraqitja e rasteve të para sivjet në kontinentin e Afrikës.
Sipas institutit në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket mpox dhe se nuk ka vend për panik, por për kujdes.
Komunikatat e plotë e IKShPK-së:
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të mërkurën më 14 gusht 2024, ka shpallur Mpox (dikur të quajtur si Lija e Majmunëve) emergjencë globale për shëndetin publik, për herë të dytë brenda dy vjetëve.
Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Afrikë ka thënë se vetëm këtë vit kontinenti i ka regjistruar 17.000 raste të infektimit të mpox dhe 517 vdekje.
MSh/IKSHPK njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se po e përcjell me vëmendje epidemiologjinë e mpox që nga paraqitja e rasteve të para sivjet në kontinentin e Afrikës.
Jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë.
Në laboratorët e IKShPK-së janë në dispozicion reagensët për testimin e rasteve të dyshimta!
Profesionistët shëndetësor rekomandohet të rrisin vëmendjen për simptomat e sëmundjes, ndërsa qytetarët këshillohen që të lajmërohen te mjeku nëse kanë dyshime apo simptoma të sëmundjes.
INFORMATA PËR MPOX
Sëmundja u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1958 kur pati dy epidemi të një sëmundjeje, që i ngjasonte lisë, në radhët e majmunëve që përdoreshin për studime - kështu mori edhe emrin lija e majmunit.
Megjithatë nuk janë majmunët, që shërbejnë si kontigjenti kryesor për këtë virus, por janë në fakt brejtësit.
Simptomat e Mpox zakonisht shfaqen 6-13 ditë (deri në 21 ditë) pas infektimit. Manifestimet klinike të sëmundjes përfshijnë:
• Simptoma të përgjithshme, febrile (ethe, dhimbje koke, të dridhura, dobësi fizike, ënjtje të nyjeve limfatike),
• Dhimbje shpine dhe dhimbje muskujsh.
Brenda tre ditëve nga përjetimi i simptomave fillestare, skuqja mund të përhapet shpejt dhe përfundimisht të kthehet në qese të vogla të mbushura me lëng të njohur si vezikula. Nëse skuqja përhapet në të gjithë trupin, mund të prekë edhe pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve.
Si përhapet?
Mpox bartet te njerëzit nga kontakti i ngushtë me kafshë ose njerëz të infektuar, ose duke prekur materiale të kontaminuara me viruse. Ai hyn në trup përmes lëndimeve (shpesh të padukshme) ose plagëve në lëkurë ose në mukozë. Lija e majmunit mund të bartet nga një person te tjetri gjatë kontaktit seksual, kontakti i drejtpërdrejtë më lëngje trupore, lëkurën ose veshjet dhe çarçafët.
Ashpërsia e sëmundjes mund të ndryshojë në varësi të disa faktorëve, duke përfshirë mënyrën se si bartet virusi, sa i ndjeshëm është personi ndaj virusit.
Komplikimet e mpox në zonat ku është më e zakonshme përfshijnë:
• infeksionet bakteriale të lidhura me lëkurën
• dehidrimin
• inflamacion të kornesë
• pneumoni
Shkalla e vdekshmërisë së mpox varion nga 0-11% në shpërthime, ku fëmijët e vegjël janë më të prekurit. Individët me imunitet të kompromentuar janë në një rrezik më të lartë të sëmundjes së rëndë dhe pacientët me HIV pozitiv mund të përjetojnë simptoma më të rënda.
Vaksinimi dhe trajtimi
Megjithëse nuk ka një vaksinë specifike për mpox, vaksina e lisë mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit e ekspozuar ndaj MPXV. Pasi të vaksinohen, njerëzit ende mund të infektohen, por ashpërsia e sëmundjes dhe rreziku për shtrimin në spital zvogëlohen.
Masat mbrojtëse
• Izolohuni në dhomën tuaj dhe mos i ndani gjërat shtëpiake me anëtarët e tjerë të familjes.
• Shmangni kontaktin me persona me imunitet të kompromentuar dhe persona të tjerë në rrezik për sëmundje të rëndë derisa skuqja të shërohet plotësisht.
• Mbani higjienë të mirë të frymëmarrjes dhe duarve dhe mbani një maskë për fytyrën kur jeni në kontakt me njerëz të tjerë.
• Përmbahuni nga aktiviteti seksual derisa skuqja të shërohet plotësisht.