Mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të kësaj Gjykate, shkelje të Kushtetutës, cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë, si dhe krijohet një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë.
Kështu ka deklaruar Naim Jakaj nga IKD, duke thënë se me vendimin e datës 23 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese (GJK) vendosi që të shpallë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, dhe të njëjtat i shpalli të pavlefshme.
Ky vendim i GjK-së sipas IKD-së ishte një hap i rëndësishëm në mënyrë që reforma e nevojshme në sektorin publik, të përcillet me siguri për punonjësit në mënyrë që këta të fundit të kompensohen në mënyrë të drejtë për përvojën dhe angazhimin e tyre profesional.
“Gjykata rrëzoi dispozitën ku dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë i’u përgjysmua e drejta e shtesës së përvojës së punës, nga zero pikë pesë përqind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë përqind (0.25%) në vit, duke e përgjysmuar shtesën e përvojës së punës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para, rrjedhimisht lartësinë e pagës për të gjitha kategoritë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e ligjit të kontestuar, përkatësisht duke përcaktuar shtesë të përvojës dyfish më të ulët në krahasim me legjislacionin paraprak sa i përket pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës”, thuhet tuje.
“Në vend që të vepronin për t’i adresuar problemet e evidentuara dhe për të përfshirë Projektligjin për Pagat në Programin Legjislativ për vitin 2024, institucionet e Kosovës, kanë shpërfillur kërkesat e GjK-së. IKD, konsideron se kjo neglizhencë nuk është thjeshtë një mangësi administrative, por mosveprimi i tillë përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ndodhi në vitin 2023 me vonesat në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Skemat Pensionale dhe me Ligjin për Zyrtarët Publik”, thuhet në komunikatë.
IKD, i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, se përgjatë shtatë muajve të këtij viti, mosinicimi i këtij projektligji dhe mos hyrja në fuqi brenda afatit të përcaktuar nga GjK, ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për të drejtën e pagesës për dhjetëra mijëra shërbyes civilë në Kosovë.
IKD, kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, që në afat sa më të shpejtë dhe me urgjencë të nisin procedurat për ndryshimet e kërkuara nga GjK, të përfshijnë të gjitha palët e interesit, në veçanti Sindikatën e Shërbyesve Civil, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të interesuar në mënyrë që ligji i ardhshëm të jetë në pajtim me kërkesat e precizuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të drejtat e shërbyesve civilë do të mbrohen dhe të garantohen një sistem i drejtë dhe transparent i pagave. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme. Një sjellje e tillë rrezikon të krijojë një precedent negativ që dobëson rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të funksionimit të shtetit ligjor”, përfundon njoftimi.