IKD: Partitë premtojnë drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, por pa plane konkrete reformash
3-Third
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
IKD: Partitë premtojnë drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, por pa plane konkrete reformash
ikdfoto
05/06/2026 - 13:21
Linku u kopjua

Të gjitha partitë politike në programet e tyre zgjedhore flasin për drejtësinë, efikasitetin dhe luftimin e korrupsionit, por asnjëra nuk paraqet një plan të plotë reformues, ndërsa zotimet e tyre në këtë drejtim mbeten në nivel deklarativ. Kështu thotë raporti “Analizë e programeve të partive politike për zgjedhjet parlamentare Qershor 2026 – Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit dhe Integrimet Evropiane”, i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në një konferencë për medie hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj thotë se asnjëra prej partive politike nuk e trajton në mënyrë të plotë reformën në drejtësi.

“Gjetja e parë është se asnjëra prej partive politike nuk e trajton në mënyrë të plotë reformën në drejtësi. Edhe pse të gjitha partitë flasin për drejtësinë, efikasitetin dhe luftimin e korrupsionit, asnjëra nuk paraqet një plan të plotë reformues që lidhet drejtpërdrejt me proceset që kanë dominuar debatin gjatë 5 viteve të fundit. Zotimet e partive politike mbeten në nivel deklarativ, ndërsa këto zotime nuk realizohen me deklarata, por me plan konkret dhe llogari institucionale. Një nga mangësitë më të dukshme është mungesa pothuajse e plotë e referimit ndaj Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021–2026. Kjo strategji ka qenë dokumenti më i rëndësishëm shtetëror për reformën në drejtësi gjatë pesë viteve të fundit. Megjithatë, as LVV, as PDK, as LDK dhe as AAK nuk e trajtojnë atë si bazë të reformave të ardhshme”, tha ai.

Në fushën e sundimit të ligjit është programi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili trajton më shumë këtë temë dhe është e vetmja parti që përmend vettingun në drejtësi, por jo edhe mënyrën se si do të realizohet.

Naim Jakaj nga IKD deklaroi se të gjitha partitë deklarohen qartë në favor të integrimit evropian dhe e konsiderojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian si objektiv strategjik të Kosovës.

Melos Kolshi, hulumtues në IKD deklaroi se partitë politike nuk kanë paraparë masa konkrete për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Sipas tij, partitë politike nuk ofrojnë mekanizma të mjaftueshëm në këtë drejtim.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi asnjëra nga partitë politike në programet e tyre nuk ofron qasje plotësisht gjithpërfshirëse ndaj qeverisjes së mirë.

Sipas raportit të IKD sa i përket luftimit të korrupsionit, programi i Vetëvendosjes vazhdon të mbështetet kryesisht te Byroja për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një nga instrumentet kryesore të politikës kundër korrupsionit. Ndërsa, programi i PDK-së fokusohet kryesisht në efikasitetin e sistemit të drejtësisë përmes digjitalizimit, rritjes së numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe krijimit të Gjykatës së Punës.

Si gjetje shqetësuese është se asnjëra nga subjektet politike nuk adreson në mënyrë serioze pavarësinë e mediave, Komisionit të Pavarur për Media dhe Radio Televizionit të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026