Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), sot ka publikuar raportin “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm”, (Problemet kushtetuese të Projektligjit për Realizimin e të Drejtës për Gjykim brenda një Afati të Arsyeshëm Kohor).
Në një konferencë për media u tha se përkundër qëllimit legjitim të Projektligjit për të adresuar çështjen e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor, përmbajtja e projektligjit nuk e adreson këtë çështje, madje, ky projektligj, me këtë përmbajtje, rrezikon që më tepër të krijojë kaos në sistemin gjyqësor.
Sipas tij, një kohëzgjatje jo e arsyeshme cenon një prej kompetenteve kyçe të gjykimit të drejtë, e që është gjykimi brenda një afati të arsyeshëm kohor, për të cilën tha se IKD në vazhdimësi ka ngritur si shqetësim.
“Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masa për ta kthyer gjyqësorin në binarë. Kuptohet, masat në asnjë rrethanë nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e Qeverisë dhe të ndërhyjnë në punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë”, tha Shala.
Sipas Shalës, përcaktimi i këtyre afateve si kritere për përllogaritjen e afatit të arsyeshëm kohor, është në kundërshtim të hapur me standardet e vendosura nga GjEDNj në lidhje me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Shala tha se caktimi i afatit që një çështje të kryhet brenda pesë vjetësh në shkallë të parë dhe të dytë nuk është afat i arsyeshëm kohor, pasi në Ligjin për Procedurën Kontestimore dhe Kodin e Procedurës Penale, afatet janë shumë më të shkurta.
Veç kësaj, Shala theksoi edhe një cenim tjetër në projektligj, e që është moslejim i ankesës ndaj vendimit të kryetarit të gjykatës.
IKD gjatë kësaj konference i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë rishikimin e dispozitave ligjore.