Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar ndaj seancave të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita dhe mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës.
Sipas IKD-së, opozita parlamentare në Kuvendin e Kosovës ka thirrur tre seanca të jashtëzakonshme për tema me interes publik si për qytetarët dhe për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Seancat janë thirrur çështjet: 1. Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Mimoza Kusari - Lila, me Milan Radojiçiç; 2. Debat Parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës; 3. Debat Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim.
Përkundër interesit publik për debat parlamentar për çështjet e lartëpërmendura, sipas IKD-së shumica parlamentare, e përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e jashtëzakonshme, pa asnjë arsyetim legjitim dhe të besueshëm.
Tutje në komunikatë thuhet se deputeti ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin.
“Nga Kushtetuta dhe ligji deputeti vepron në përputhje me besimin që i është dhënë nga qytetarët. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm ndaj tyre dhe t’i mbrojë interesat e tyre, duke u angazhuar për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse. Pavarësisht përkatësisë partiake deputetet duhet të ruajnë dhe promovojnë vlerat bazë të garantuara më Kushtetutën e Kosovës. Deputetët duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe qeverisjes se mirë. Bojkotimi i deputetëve për çështje ku kërkohet llogaridhënie dhe rezultate ndaj fenomeneve të korrupsionit qeveritar, ruajtjen e integritetit të institucioneve publike dhe sqarimit të situatave ku deputetë të Kuvendit të Kosovës komunikojnë me persona në kërkim ndërkombëtar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, ulin besimin e publikut në vullnetin politik për shtet ligjor dhe luftim te korrupsionit. Kjo qasje padyshim se pengon rrugën integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Po ashtu, IKD shpreh shqetësim për mungesën e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatë.