Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit, të premtën, ka mbajtur bashkëbisedimin, në të cilën është prezantuar raporti me titull “Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”.
Në këtë bashkëbisedim, si panelist, përvec autores së raportit, Eranda Zekaj, ishin edhe Agron Maxhuni, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri; Ersan Qavolli, prokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Avokat Florim Shefqeti.
Zekaj theksoi rëndësinë e parimit të ndarjes së pushteteve, si një ndër parimet jetike në funksionimin e shoqërive demokratike. Ajo tha se “Kjo ndarje, përcakton detyra dhe përgjegjësi, duke përfshirë mekanizmat e kontrollit dhe balancit pa krijuar ndërhyrje” dhe “varësi”. Prej nga pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat.
Sipas znj. Zekaj, një ndalim i tillë promovon sigurinë juridike dhe lejon interpretim përfundimtar nga gjykatat, jashtë ndikimit të pushteteve tjera. Megjithatë, pavarësisht këtij ndalimi, ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve, kur Gjykata Kushtetuese është dashur të rivendos këtë balancë në mes tre pushteteve. Ajo vuri theksin në situatat kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozita të caktuara ligjore, me arsyetimin se të njejtat cënojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si në rastin e Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik dhe Ligjit NR. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, ku gjykata theksoi se aprovimi i cdo propozimi të Gjyqësorit nga qeveria, padyshim është në kundërshtim me nocionin e pavarësisë “institucionale, funksionale dhe organizative” të Gjyqësorit.
Ajo shton se pushteti ekzekutiv nuk duhet të inkurajoj mosbindje ndaj vendimeve gjyqësore apo dhunë ndaj gjyqtarëve, pasi që veprime të tilla mund të shkaktojnë ndikim të pahijshëm, presion, nxitje dhe ndërhyrje direkte ose indirekte.
Kështu, sipas Zekaj, vendimet gjyqësore edhe në aspektin ndërkombëtar lejojnë komentime të kuptimit sqarues, por jo edhe vlerësues. Komentimet e tilla nga ekzektutivi dhe legjislativi, që tregojnë një gjendje reale drejtë përmirësimit të efikasitetit gjyqësore, si ngritje e resurseve njerëzore, trajnime shtesë, apo bashkëpunime brenda kompetencave janë të mirëpritura. Por jo situatat kur komenti ka karakter vlerësues të vendimit gjyqësor.
Agron Maxhuni, gjykatës mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, tha se ndarja e pushteteve është e përcaktuar në Kushtetutën e vendit, e cila krijon pavarësi të plotë karshi vendimeve të saj. Ai tha se kjo pavarësi është jetike për një vend demokratik dhe kontribuon në zhvillimin e shtetit. Për këtë, ai u shpreh se Këshilli Gjyqësor është duke marrë veprime të rëndësishme për të bërë reforma në sistemin gjyqësor, duke mos lejuar kështu edhe ndërhyrjet. Gjykatësi Maxhuni, në lidhje me komentet e politikanëve, tha se mund të ketë komentime sqaruese por jo komentuese, pasi vendimet e gjykatës kanë shkallshmëri dhe ekziston edhe pezumimi i pafajësisë.
Ersan Qavolli, prokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë, ka thënë se deklaratat publike ndaj sistemit të drejtësisë ndikojnë zbehjen e besimit të qytetarëve në raport me punën e prokurorisë. “Deklaratat e tilla nuk i bëjnë mirë sistemit sado që mundohesh me punu vetëm munden me zbeh besimin e qytetarëve në raport me punën e prokurorisë që e bën”, ka deklaruar Qavolli.
“Mbi këtë bazë, konsiderojmë që edhe aspekti organizitiv aq më tepër aspekti i pagave, ka qenë një tendencë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kuptimin funskional, e cila normalisht e konsiderojmë shumë të duhur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e ka konsideruar shkelje këtë çështje”, tha Shefqeti.
Në anën tjetër, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se mënyra se si sillet pushtetit aktual në raport me linçimet që i bën në drejtim të sistemit të drejtësisë, është problematike. “Mënyra se si sillet Qeveria e fundit është shumë me problematike se ajo paraprake, edhe në të kaluarën kemi pas deklarime që kanë sulmuar sistemin e drejtësisë, por kjo Qeveri i tejkalon të gjitha”, tha ai.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se as politika si dhe as ekzekutivi e legjislativi nuk kanë të drejtë të komentojnë vendimet e gjykatave. Sipas tij, as politikanët nuk kanë të drejtë që të merren personalisht me gjyqtarët dhe prokurorët. “As politika, as ekzekutivi, as legjislativi nuk kanë të drejtë me i komentu vendimet e gjykatave. Politikanët nuk kanë të drejtë me u marrë personalisht me gjyqtarë dhe prokurorë se kjo është ndërhyrje”, tha Miftaraj.
Për më tepër, Qavolli ka komentuar videon e publikuar nga ana e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila për një rast kishte dalë në vend të ngjarjes duke thënë se “për kë po punon Prokuroria”. Për këtë, ai tha se prokurori del në vend të ngjarjes dhe jo ministrat. Sidoqoftë, ai shtoi se ndonëse nuk i bëjnë të ndihen mirë këto deklarata, ata nuk bien pre e ndikimit.
Ndërkaq, Agron Maxhuni, gjyqtari mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, tha se mund t’i përgjigjen këtyre deklaratave përmes performancës dhe veçanërisht trajtimit në kohë të këtyre rasteve për t’ua bërë me dije të gjithëve se sistemi i drejtësisë është objektiv, i paanshëm dhe efektiv.