Hoxhaj: S’ka kontekst evropian e as global që të ketë momentum të ri për dialogun
Intervista
Lexohet për: 2 min.
PDK
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, thotë se s’ka kontekst rajonal, evropian dhe as global që të ketë një momentum të ri në dialogun Kosovë-Serbi.

Një raund i ri i takimeve në nivel të kryenegociatorëve pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel.

Pavarësisht takimeve të tilla, Hoxhaj nuk pret zhvillime pozitive drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të saj.

Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel. Një muaj më vonë ishte arritur dakordim për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Derisa flet për porositë e emisarit amerikan, Alexander Kasanof, i cili ditë më parë vizitoi Kosovën, Hoxhaj thotë se amerikanët nuk i besojnë më kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, Kosova mund të rikthehet në binarët e zhvillimit dhe ruajtjes së raporteve me aleatë vetëm me fitoren e PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sa i përket samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt me 14 tetor, Hoxhaj konsideron se miratimi i planit të dytë të veprimit për tregun e përbashkët rajonal është një lajm pozitiv.

Megjithatë, ai thotë të ketë pritur një qëndrim më të qartë të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian për, siç thotë, të ndalur Serbinë nga ambiciet e saj hegjemoniste ndaj Kosovës, por edhe rajonit.

Hoxhaj flet edhe për komunikimet e shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq - personi që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, kjo bisedë është bërë në kohën kur Radoiçiq ka qenë duke trajnuar paramilitarët e tij që të ushtrojnë agresion mbi Kosovën.

Ai e quan të dëmshme për vendin edhe sjelljen e qeverisë dhe mazhorancës në Kuvend “se gjoja s’ka ndodhur asgjë”.

Në anën tjetër, Hoxhaj shton se edhe arrestimet në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tregojnë se në krejt çka ka pretenduar LVV-ja për një epërsi morale, nuk qëndrojnë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024