Hoxhaj: Rambujeja, marrëveshja e parë e nënshkruar mes Kosovës e Perëndimit
Lexohet për: 3 min.
Enver Hoxhaj 2021 - Fol Hapur (4)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj, ka kujtuar sot 23-vjetorin e fillimit të takimit në Rambuje, nga ku doli edhe Marrëveshja e Rambujesë. 

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se Rambujeja është marrëveshja e parë e nënshkruar mes Kosovës dhe Perëndimit.

Ai ka shtuar se edhe pse më herët kishte pjesëmarrje të Kosovës në ngjarje të mëdha ndërshqiptare, ballkanike dhe ndërkombëtare, asnjë prej tyre nuk arritën te shkrimi i një marrëdhënieje kontraktuale në mes të Kosovës dhe Perëndimit si ajo e Rambujesë. 

Hoxhaj tha se 23 vjet më parë, delegacioni i Kosovës që i printe Hashim Thaçi përmbylli marrëveshjen e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët me këtë përmbajtje.

"Tërheqjen e ushtrisë serbe dhe vendosja e trupave paqeruajtëse të prirë nga NATO, ndërtimin e institucioneve qeverisëse demokratike dhe marrja e një vendimi mbi statusin e Kosovës pas tri vjetësh", ka shkruar Hoxhaj. 

Ish-ministri i Jashtëm tha se Rambujeja është hallka e parë ndërkombëtare në themel të Kosovës së lirë dhe të pavarur, duke e rreshtuar në anën e drejtë të gjeopolitikës dhe historisë. 

Ndryshe, më 6 shkurt 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike - marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bindë presidentin e atëhershëm të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024