Hoxha viziton njësitet policore në Bërnjak dhe në Banjskë ku u vra Afrim Bunjaku
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, së bashku me me atasheun Kimberly Riffe, DOJ-ICITAP pranë Ambasadës Amerikane kanë vizituar dje veriun e vendit, gjegjësisht njësitet policore të Policisë Kufitare dhe ata të Rendit Publik në Jarinje, Leposaviq, Bërnjak dhe në Banjskë ku me 24 Shtator 2023 u vra Rreshteri Afrim Bunjaku.
Në njoftim thuhet se drejtori Hoxha bisedoi me zyrtarët policorë të cilët ishin në kryerje të detyrave, duke u interesuar për gjendjen e përgjithshme, sfidat, vështirësitë dhe realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore në atë pjesë të vendit.
“Ndër të tjera, në takimet me zyrtarët policorë, drejtori i përgëzoi ata për punën e angazhimin në kryerje të detyrave duke ofruar siguri për të gjithë pa dallime etnike dhe sundim të rendit e ligjit. Po ashtu, delegacioni nga Prishtina, u prit edhe nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Policore Mitrovicë Veri Veton Elshani, i cili njoftoj eprorët e PK-së rreth gjendjes së përgjithshme të sigurisë në veri të vendit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu drejtori i PK-së, Hoxha me bashkëpunëtor vizitoi dhe vuri kurorë me lule, në vendin e rënies së heroit të Kosovës Enver Zymberit.