Policia e Kosovës me përkushtimin dhe angazhimin e saj në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e saj pa dallim, ka dëshmuar se ka qenë dhe mbetet një ndër institucionet më të besueshme në Republikën e Kosovës dhe një partner i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe më gjerë.
Kështu ka thënë të premten drejtori i përgjithshëm i policisë, Gazmend Hoxha, gjatë një konference për media të mbajtur në veri të Mitrovicës, me ç'rast u prezantua puna dhe aktivitetet policore.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve të veriut se kur do të kthehen në punë policët e dorëhequr të nacionalitetit serb, Hoxha sqaroi se gjendja e krijuar rreth strukturës etnike të policisë në veri nuk është me fajin e policisë, por të dorëheqjeve të kolegëve që kishin presion politik.
Gjatë konferencës u prezantuan po ashtu statistika rreth numrit të përgjithshëm të policëve dhe përqindjes së tyre etnike në mbarë territorin e Kosovës.