Hoxha: Nuk ka asnjë lloj ngjashmërie mes Kosovës dhe Donbasit në Ukrainë
Lexohet për: 3 min.
hoxha
2 vite më parë
Linku u kopjua

Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, në konferencën e parë të presidencës shqiptare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së iu përgjigj interesimit të medias për disa çështje, ndër të cilat edhe për qëndrimin lidhur me një paralelizëm mes Donbasit në Ukrainë dhe Kosovës.

I pyetur nëse ka ngjashmëri mes tyre, ambasadori Hoxha tha se “nga pamja e jashtme, ne nuk shohim ndonjë ngjashmëri mes Kosovës si një shtet i pavarur dhe agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë dhe republikave të parafabrikuara të Donbasit, për arsyen e thjeshtë sepse nuk ka asnjë lloj ngjashmërie”.

“Dhe për hir të së vërtetës, Kosova nuk ka ngjashmëri me asnjë rast tjetër në botë. Operacioni i NATO-s në 1999-ën pasoi një fushatë intensive diplomatike nga OKB-ja dhe Grupi i Kontaktit, ku Rusia është gjithashtu anëtare. Ka 8 rezoluta të Këshillit të Sigurimit që kanë të bëjnë me Kosovën përpara Rezolutës 1244 që vendosi misionin e UNMIK-ut që është akoma atje. Atëherë, Këshilli i Sigurimit e cilësoi pastrimin etnik në Kosovë dhe refugjatët si një kërcënim i sigurisë dhe misioni i NATO-s i dha fund shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, vrasjes së civilëve dhe mizorive të dokumentuara. Për më tepër, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se pavarësia e Kosovës në 1999-ën nuk shkeli ligjin ndërkombëtar. E njëjta gjykata hodhi poshtë pretendimet ruse për genocidin që Ukraina kishte ushtruar kundër minoriteteve ruse në Ukrainë dhe e urdhëronte Rusinë të ndalonte sepse nuk shihte arsye për të mbështetur pretendimin për genocid”, vijoi ambasadori Hoxha.

“Sot ka shumë organizata që mund të merren me ankesat e popullsisë ruse në Ukrainë. Por, Rusia zgjodhi një rrugë tjetër, shkoi në luftë. Së fundi, Kosova nuk është çështje paqeje dhe sigurie; nuk është çështje që duhet të diskutohet, sipas kapitullit 7. Sot, Kosova është çështje që ka të bëjë me ndërtimin e shtetit, performancën e institucioneve dhe me zhvillimin e shoqërisë civile”, theksoi Hoxha.

“E parë nga këndvështrimi i Shqipërisë, vend fqinj i Kosovës, Ballkani Perëndimor është rajon që po zhvillohet me shpejtësi. Ne nuk harrojmë çfarë ndodhi, por ne nuk e kemi ngulitur mendjen në të shkuarën, por shohim drejt të ardhmes, si mund ta bëjmë rajonin të ecë së bashku përpara sipas perspektivës së merituar euroatlantike”, përfundoi ambasadori Ferit Hoxha.

https://kosovapress.com/admin/shqiperia-prezanton-prioritetet-e-saj-ne-drejtimin-e-ks-te-okb-se/
https://kosovapress.com/admin/shqiperia-kryeson-keshillin-e-sigurimit-rama-plotesisht-te-angazhuar-per-paqe-dhe-drejtesi/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bshqiperia-merr-drejtimin-e-keshillit-te-sigurimit-te-okb-se/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024