Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mirëpriti sot vendimin për heqjen përfundimtare të të gjitha masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Në një postim në rrjetin X, Hoxha e cilësoi heqjen e masave si të vonuar.
“Vendimi i sotëm hap një kapitull të ri—duke mundësuar qasje të plotë dhe pa pengesa në fondet e BE-së, asistencën dhe bashkëpunimin e gjithanshëm. Ai kontribuon në rindërtimin e besimit dhe forcon më tej besueshmërinë e procesit të integrimit evropian”, shtoi Hoxha.
Ministri vuri në dukje se avancimi drejt rrugës evropiane të Kosovës—përfshirë shqyrtimin pa vonesë të aplikimit për statusin e vendit kandidat—do të kontribuojë drejtpërdrejt për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, duke rikonfirmuar njëkohësisht perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton ATSH.
Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.