Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se qëllimi përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke. Mirëpo, ai nënvizoi se aktualisht të dy palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e dala nga Brukseli dhe të marrin më seriozisht dialogun.
"Disa nga mesazhet e Shteteve të Bashkuara, pikërisht tani, si e shohim rrethanën në përpjekjen për të avancuar një marrëdhënie të normalizuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllimin përfundimtar njohjen reciproke. Ky mbetet qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i pastër dhe i thjeshtë. Nuk mendoj se më duhet të shpenzoj shumë kohë për të paraqitur disa nga shqetësimet që kemi me zgjedhjet e politikave të bëra në Beograd, dhe me zgjedhjet e politikave të bëra në Prishtinë, ato janë reale, ne i dimë. Ne presim që të dyja qeveritë të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha detyrimet që kanë marrë në dialog, presim që ta marrin seriozisht dialogun", theksoi Hovenier.
"Po të mos kishim dialogun që e kemi aktualisht, çfarë do të shpiknim? Do të kishim, Kosovën, Serbinë dhe do të kishim lehtësuesin BE-në pasi e ardhmja e Kosovës do të jetë në Evropë, e do të kishim përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve tjerë. Pra, do të nisnim nga fillimi të njëjtën gjë. Duhet përkushtim i ri në dialog nga të gjithë, ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë. Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘fitim-fitim’. Mendojnë si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron të shohë këtë por pa kompromentuar themelet e Kosovës. S’do të ishte asnjë fitore çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat”, shtoi ai.
Sipas tij, po të varej nga SHBA-ja, Kosova do të ishte anëtare në organizatat euroatlantike e Serbia do të vinte afër pranimit të realitetit. Ai ka shtoi se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në rrugën euroatlantike, por duhet angazhimi serioz në proces.