Angazhimi për avancimin e të drejtave të grave dhe paqen nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright është vlerësuar të shtunën në Forumin për Gratë, Paqen dhe sigurinë.
Në panelin e diskutimit për mësimet nga Albright, ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se ajo ishte e përkushtuar ndaj rajonit tonë që gjitha etnitë dhe fetë të jetonin në paqe dhe siguri.
Pjesë e panelit ishte edhe Ann Lind nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, e cila tha se ndikimi i Albright ka qenë përtej ShBA-së.
Ajo shtoi se nëse gratë do të ishin gjithmonë në tavolinën ku bëhen marrëveshjet, ato do të qëndronin më gjatë.
Nga ana tjetër, Monica McWilliams, ish negociatore për paqe, tha se ka mësuar shumë nga ish sekretarja amerikane e shtetit.
"Si ndërtuese e paqes kam pasur dyshime për intervenimin ushtarak por më pastaj kam kuptuar nevojën e tyre për parandalimin e krizave humanitare, si në Kosovë...ajo çka iu them juve grave të Kosovës është se paqja bënë dallimin. Porosia tjetër që më ka lënë Albright është se është e vështirë të arrihet një marrëveshje, andaj mos e shkelni atë", theksoi ajo.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë po vazhdon në Prishtinë me panele të tjera të diskutimit.