Hoti: Qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht Marrëveshjen e Uashingtonit
Intervista
Lexohet për: 3 min.
hoti-081224
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit do të krijonte klimë më të mirë ekonomike për Kosovën, më pas edhe politike, duke çuar drejt marrëveshjës përfundimtare me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, thotë ish-kryeministri Avdullah Hoti. Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet ta marrë seriozisht këtë dokument.

Ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit është një dakordim për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë - arritur në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020 nën presidencën e atëhershme të Donald Trump.

Nuk dihet nëse kjo çështje do të marrë sërish vëmendjen e administratës amerikane pasi Trump të betohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara në fillim të vitit të ardhshëm.

Por Avdullah Hoti, i cili atëbotë e nënshkroi marrëveshjen si shef i ekzekutivit kosovar, thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja e Uashingtonit i siguroi Kosovës njohjen nga shteti i Izraelit, ndërkaq pikat që kanë të bëjnë me krijimin e linjave ajrore dhe hekurudhore në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk janë zbatuar.

Përveç për mos-angazhim në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Hoti kritikon qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti edhe për “cenim të aleancave kryesore”, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Kosovës është kritikuar edhe nga SHBA-të për veprime që ata i kanë konsideruar të njëanshme. Këtë vit, autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe - në mesin e tyre mbylljen e strukturave paralele serbe si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Në një intervistë për KosovaPress, Hoti flet edhe për dialogun e Brukselit dhe takimin që pritet të mbahet më 17 dhjetor në nivel kryenegociatorësh.

Deputet i LDK-së nuk ka pritje pozitive në këtë drejtim, ndërkaq, shpreson se administrata e re amerikane do t’i japë një dinamikë të re procesit të dialogut.

Përveç kësaj, ai kritikon qeverinë edhe sa i përket aspektit ekonomik ku sipas tij në këtë sektor ka “dështim të plotë”.

Mandati i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti përfundon në fillimin e vitit 2025, ndërkaq zgjedhjet parlamentare që do ta nxjerrin përbërjen e re të Kuvendit, do të mbahen më 9 shkurt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025