Hoti: Ky është mashtrimi i radhës i Kurtit dhe VV-Guxo
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se deklarimet se është ndalur “gjakderdhja financiare” dhe janë mbyllur “vrimat e buxhetit” është mashtrimi i radhës i Kurtit dhe VV-Guxo.
Hoti duke u bazuar në raportin e buxhetit për 2023 (faqe 29), për vitet 2021-2023 janë paguar 520 milionë euro për entitete publike (102 mil në 2021, 233 mil në 2022 dhe 185 mil në 2023).
“Kurrë nuk janë shpenzuar kaq shumë mjete për ndërmarrjet publike. Me gjithë këto mjete do të mund të ndërtohej një bllok i ri energjetik në KEK, centrali me gaz, apo të përmbyllej projekti madhor i Ibër-Lepencit, për të cilin është iniciuar master plani në qeverinë paraprake. Disa herë kam bërë pyetje parlamentare në Kuvend, me shkrim dhe me gojë, për të parë listën e plotë të subvencioneve për ndërmarrjet publike. As Ministri i Financave që është përgjegjës për buxhetin, e as Ministrja e Ekonomisë përgjegjës për ndërmarrjet publike, nuk kanë kthyer përgjigje. Këta do të mbahen përgjegjës për këto abuzime me buxhetin, herët a vonë. Këta gjithmonë nuk do të jenë në pushtet për të pamundësuar qasjen e deputetit në mënyrën si shpenzohen taksat e kosovarëve. Auditori duhet me kujdes të analizojë këtë rrjedhje masive të buxhetit të shtetit”, ka shkruar ai.
Hoti shton se këto dhe çështje të tjera sot do të diskutojmë në Komisionin për Buxhet me Ministrin e Financave.