Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria Kurti ka lënduar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai në debatin parlamentar për politikën e jashtme u shpreh se krerët më shumë kanë pasur vizita në lindje se në perëndim.
Sipas tij, politika e jashtme nuk mbahet me forume.
“Kjo gjendje e politikës së jashtme besoj është e pritshme kur kryeministri në forume ndërkombëtare edhe rajonale më shumë ligjëron për lidhjet e Serbisë me Rusinë se sa për vlerat e Kosovës. Më shumë flet për teori politike nga filozofë të ndryshëm se sa për nevojat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoti.
“Shkarkimet e diplomatëve ishin hakmarrje e pastër politike, se kur i bën me plan ato nuk kanë si ndryshe se si të shihet. Ndoshta mund të shihen edhe si nevojë për të demonstruar një fuqi nga qeveria që duhet thënë është ndër qeveritë më të dobëta që ka pasur Kosova në politikën e jashtme. Marrëdhëniet me ShBA-në janë lënduar, ose po e zbus pak, nuk janë në nivelin që kanë qenë e që duhet të jenë. E marrëdhëniet me ShBA-në reflektojnë politikën tonë jo vetëm të jashtme, por kemi një relacion ekzistencial”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ai ka deklaruar se debati me Serbinë është degraduar dhe se për këtë më parë, sipas tij, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë “qorruar me gazlotsjellës”.