Hoti: Komisioni për Buxhet miratoi Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti
Lexohet për: 2 min.
avdullah-hoti-250922
2 vite më parë
Linku u kopjua

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka bërë të ditur se Komisioni për Buxhet e miratoi sot Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, i cili është iniciativë e mbi 21 mijë qytetarëve.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare.

“Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale”, ka shkruar Hoti.

Hoti thotë se Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për tu dalë në ndihmë qytetarëve përmes rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës.

“Të dyja këto masa kanë qenë plotësisht të realizueshme, sepse të hyrat buxhetore janë rritur me mbi 20% për shkak të rritjes së çmimeve.  Në vend që mjetet buxhetore të shpenzohen duke i rritur pagat dhe duke i realizuar projektet kapitale, sot në buxhetin e shtetit janë grumbulluar rreth 700 milionë euro që po i zhvlerëson inflacioni. Këta qeveritarë as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e buxhetit në rritje të pagave e në projekte kaptiale, e as nuk i ulin tatimet dhe akcizat për t’ua lënë në dispozicion qytetarëve ato mjete”, ka shtuar Hoti.

Ai ka theksuar se përderisa nuk i përfillen propozimet e opozitës për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024