“Historia ime, dinjiteti im”, titullohet libri me rrëfime të grave me aftësi të kufizuara dhe nënave vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, i cili është publikuar sot.
Libri është një përmbledhje narrative e historive të grave me aftësi të kufizuara. 18 gratë që kanë rrëfyer në këtë libër flasin për betejën me familjen, shoqërinë dhe institucionet.
Ideatorja e projektit, Ardiana Bytyqi ka treguar më shumë për qëllimin dhe përmbajtjen e librit.
“Ky është një libër që pasqyron vuajtjet e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara dhe nënave vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ideja ka qenë që të krijohet një instrument për të ngritur vetëdijen e përgjithshme, por edhe atë institucionale që kemi dy kategori që janë jashtëzakonisht të ndjeshme në një komunitet shumë të ndjeshëm. Gjatë punës time, ndër vite, në komunitetin e aftësisë së kufizuar, përveç që është një komunitet shumë i ndjeshëm si në qasjen në shërbime, si në qasjen në mundësi të edukimit, punësim dhe përballën me shumë sfida tjera të ndryshme, janë dy kategori brenda komunitetit që janë edhe më të ndjeshme. Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuar që përtej gjitha sfidave përballen edhe me diskriminim e vështirësi tjera për të siguruar një mirëqenie”, tha Bytyqi.
Duke folur për sfidat që hasin këta persona, Balje ka rrëfyer se ende në disa pjesë të vendit ka persona që hezitojnë të tregojnë që në familjet e tyre kanë persona me aftësi të kufizuar, për të cilën bëri thirrje që të largohet kjo tabu dhe të pranohen njëjtë.
“Shumë jemi duke folur për personat me aftësi të kufizuar, ndoshta jo shumë për gratë dhe vajzat për këtë kategori, por sërish, ne në Kuvend jemi duke parë këtë si problem gjeneral. Por, nuk kemi bërë shumë në këtë drejtim, jemi në gjendje për të diskutuar, të ftojmë persona kompetentë, por nuk varet prej neve si deputete, por varet prej qeverisë. Por, sërish nuk e heqim edhe përgjegjësinë që kemi ne... Ne në komunën e Prizrenit kemi 30 fshatra në të cilën jetojnë persona me aftësi të kufizuara. Me keqardhje po e them që kemi disa familje, vajza që janë me aftësi të kufizuara, ende nuk janë dalë prej shtëpisë, prindërit nuk janë duke fol për ata, dhe kur unë dua të shkoj t’i vizitoj në shtëpi, sërish ka një hezitim, ju vjen mirë po thonë që s’ke nevojë të hupesh kohë deputete, është në rregull, pra, ende te ne është tabu për të pranuar”, tregon Balje.
Pajaziti derisa ka treguar për qëllimin e librit tha se kanë për synim që të hedhin dritë mbi realitetin të cilën përballën këto gra që shpeshherë edhe anashkalohen e bullizohen. Anën tjetër, ajo bëri thirrje dhe institucioneve e shoqërisë që personat me aftësi të kufizuara të pranohen ashtu siç janë dhe të pranohen të drejtat e tyre.
“Çdo faqe e librit dhe rrëfimi i secilës grua shpërfaq përballjen dhe triumfin e saj mbi sfidat, kufizimet shoqërore dhe barrierat fizike. Historitë e tyre janë dëshmi e vendosmërisë, guximit dhe forcës. Përmes librit “Historia ime dinjiteti im”, ne synojmë të hedhim dritë mbi realitetin të cilin përballën këto gra, të cilat jo rrallëherë anashkalohen e aq më keq edhe bullizohen. Po ashtu bëhet thirrje për institucionet, shoqërinë e familjet që të pranohen ashtu siç janë dhe të njihen të drejtat e kontributet e tyre për shoqërinë. 18 gratë dhe vajzat e reja frymëzojnë ndryshimin, dhe bëjnë me dijë që aftësia e kufizuar nuk pengon aftësi tjera dhe se ato mund të kapërcejnë çdo lloj pengese tjetër. Secila grua po ashtu shpreh pengun për shkollim dhe nevojën e madhe që kanë secila për punësim. Ato jetojnë në kushte jo të mira ekonomike dhe pak e ndjen dorën e shtetit. Libri përfshin 18 rrëfime nga rajonet e ndryshme në vend”, rrëfen Pajaziti.
Se ky libër është mundësi e mirë të kontribuojë në përmirësimin kushteve të personave me aftësi të kufizuar, e tha edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.
“Është shumë e rëndësishme që këto tregime po rrëfehen, po e kemi mundësinë t’i shohim dhe t’i dëgjojmë për së afërmi, por edhe të njëjtën kohë e gjithë kjo punë që po bëhet nga organizatat tona që i kemi të jashtëzakonshme, jemi duke arritur të njëjtën kohë që të kemi më shumë të dhëna, që kjo ish dashtë të kontribuoj më shumë në përgjegjësitë që kemi brenda institucioneve për të krijuar kushte më të mira për qytetarët tonë. Është obligim ndaj pozitave që kemi...Duhet të ndërtojmë zinxhirin e përbashkët dhe të japim maksimumin që mundemi për të krijuar kushte më të mira për qytetarët tonë në formën më të barabartë të mundshme”, tha Bogujevci.
“Përmes intervistimit të grave me aftësi të kufizuara, ballafaqimi me sfida jetësore do të jenë një mesazh ku institucionet e vendit që kthejnë vëmendjen ndaj këtij komuniteti dhe marrin përsipër obligimet e tyre ligjore e kushtetuese. Padyshim që gratë me aftësi të kufizuara atakohen me probleme të ndryshme duke kuptuar shpeshherë dhunën fizike, emocionale dhe ku ato ballafaqohen me këto sfida, në veçanti institucionet përgjegjëse, të marrin përsipër obligimet që kanë ndaj këtij komuniteti... Uroj që ky libër të jetë një mesazh për institucionet, që përmes këtyre mesazhe të krijojmë strategji për personat me aftësi të kufizuar”, tha Kadriu.
Pjesëmarrës në këtë promovim të librit ishin edhe disa nga ata që ndanë historinë e tyre në libër. Babai i Blerinës, Ismaili Krasniqi , të cilët kanë rrëfyer në këtë libër tregojnë për vështirësitë në të cilat po hasin.
Ndërsa, Aferdita Haxholli nga Ferizaj, e cila ka rrëfyer edhe në këtë libër për jetën e saj, u bëri thirrje institucioneve të punojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
“Jam person me aftësi të kufizuar, kam 43 vjet. Janë duke u bërë disa gjëra që nuk po mundem të besoj se çfarë po bëjnë njerëzit. Hapeni sytë shikoni. Jam 43- vjeçare, 250 mijë euro më është bërë operacioni të shkojë jashtë vendit, thonë që s’kemi, ku të marrim para? Jam me qira, paguaj 200 euro, nuk më kanë dhënë banesën askund. Kemi pas panairin në shesh, na kanë marrë emra e mbiemra, dhe kur kam shkuar të marrë pjesë, më kanë thënë plotëso pyetësorin çfarë aftësie ke. Unë kam të gjitha aftësitë, luaj aktore...Edhe ne kemi të drejtë të punojmë në qeveri e çdo kund, punoni për drejtësi. Prej vitit 2021 i kam dokumentet të shkoj jashtë vendit, por nuk po më bëhen, gjithë Turqia po më thirrin të shkojë në operacion. Kam shkuar në qeveri, më kanë thënë prit. 375 euro e kam pasur rrogën, e ma kanë zbritur”, rrëfen Haxholli.
Libri është realizuar në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, dhe mund të gjendet online në të gjitha kanalet e Qendrës për Inovacione dhe Zhvillim. /E.Krasniqi/
Rritet skema për mbështetje materiale familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara - KosovaPress