Heshtja nuk është pohim – "Kosmonte Foods" reagon ndaj shpifjeve dhe agjendave të ulëta
Lexohet për: 7 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

“Kosmonte Foods” sh.p.k., është kompani kosovare e cila operon edhe në Shqipëri, Gjermani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në kompani janë mbi 400 të punësuar në Kosovë, 250 në Shqipëri, 200 në Emiratet e Bashkuara Arabe – dhe ky proces i rritjes vazhdon me ritme të shpejta.

Aplikimi për përfitimin e statusit të investitorit strategjik nga “Kosmonte Foods” sh.p.k. ndodhi në janar të vitit 2019, shumë kohë para se të fitonte pushtetin Qeveria Kurti. Në fund të vitit 2022 është nënshkruar kontrata me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrrësisë dhe Tregtisë (MINT) për zbatimin e projektit investiv kapital me të cilin “Kosmonte Foods” sh.p.k., është shpallur investitor strategjik. Deri në muajin korrik 2023 nuk është kaluar prona në shfrytëzim të kompanisë. Me marrjen e të drejtës për t’u pajisur me dokumentacion investivo-teknik, kompania ka filluar intenzivisht me sigurimin e pëlqimeve relevante dhe sigurimin e kushteve dhe lejeve ndërtimore, organizimin e punëve përgatitore dhe me padurim pret fillimin e zbatimit të projekteve.

“Kosmonte Foods” sh.p.k. do të investojë më shumë se 11 milionë euro në dy projekte të rëndësishme ku në kuadër të tyre:

Do të hapen rreth 300 vende të reja pune

Do të fuqizohen fermerët vendorë

Do të bëhet prodhimi dhe eksporti i produkteve “Made in Kosova”.

Duke pasur qëllim kryesor rezultatet e projektit dhe çka mund të kontribuojmë për të mirën e Republikës së Kosovës, “Kosmonte Foods” sh.p.k., ka vlerësuar se nuk është në profilin që përfaqëson kompania që të merret me shkrime tendencioze, antikombëtare dhe dashakeqe. Agjenda e vazhdueshme dhe diskursi shpifës drejtuar “Kosmonte Foods” sh.p.k. është vetëm në shërbim të kompanive konkurrente dhe armiqve të Republikës së Kosovës – kur dihet se këto agjenda udhëhiqen dhe implementohen nga gazetat që mbajnë emrin “Kombëtare”, por që përfaqësojnë gjithçka antikombëtare me shpifje si ndër të tjera:

-Është shkruar se Kosmonte Foods sh.p.k.,”Është financuese e partisë LVV”

-Është shkruar se Kosmonte Foods sh.p.k., “Ka përfituar 25 Hektarë tokë”

-Është shkruar për “Vendosje të çmimeve grabitqare ndaj bizneseve dhe qytetarëve”

Gazeta “Nacionale” e di të vërtetën – se “Kosmonte Foods” sh.p.k., nuk është financuese e Lëvizjes  Vetëvendosje (LVV) edhe nëse një apo më shumë punëtorë të saj  mund të jenë përkrahës të ndonjë subjekti të caktuar politik. Vlerësimi apo besimi për një parti është e drejtë personale e punonjësve të kompanisë pa dallim – por që as se si dhe në asnjë rrethanë nuk përfaqësojnë apo konfirmojnë një mendim apo ide politike në emër të Kosmonte Foods sh.p.k.

Gazeta “Nacionale” e di të vërtetën – se “Kosmonte Foods” sh.p.k., nuk ka përfituar të drejtën e shfrytëzimit të 25 Hektarëve tokë, por të sipërfaqes prej 9.8 Hektarë në të cilën do të ndërtohen fabrika moderne dhe do të jenë vend pune për rreth 300 punonjës në dy projekte në bashkëpunim me dy kompani prestigjioze botërore me të cilat është nderë për Kosovën që “Kosmonte Foods” sh.p.k. zotëron partneritete të tilla dhe po i sjellë në vendin tonë.

Gazeta “Nacionale” e di të vërtetën – se “Kosmonte Foods” sh.p.k. me statusin si investitor strategjik i Republikës së Kosovës nuk ka lejuar që partnerë dhe kompani të rëndësishme me nam në botën e prodhimit dhe biznesit të përqendrojnë investimet e tyre në vende të rajonit, por që këto investime të realizohen në Republikën e Kosovës, të punësohen qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të përfitojnë fermerët dhe blegtorët tanë.

Gazeta “Nacionale” e di të vërtetën – se “Kosmonte Foods” sh.pk., nuk ka vendosur çmime grabitqare ndaj bashkëpunëtorëve të saj e as ndaj qytetarëve dhe për këtë kemi reaguar në mënyrë publike me anë të një komunikate më 22 Korrik të vitit 2022.

Pra, këto shkrime nuk kanë të bëjnë fare me pyetjet nëse këto shkrime janë të vërteta ose jo.  Kjo ndodh sepse gazeta “Nacionale” kërkon që “Kosmonte Foods” sh.p.k., të humbasë kohë duke debatuar me të, dhe mbi të gjitha, gazeta kërkon të ftojë prokurorinë që të bezdisë kompaninë duke i shpenzuar kohë dhe mund me pyetje të tilla vetëm për të vërtetuar diçka që tashmë edhe gazeta “Nacionale” e di se janë të pavërteta. “Kosmonte Foods” sh.p.k., është dhe do të jetë e hapur në çdo kohë ndaj prokurorisë, ministrive dhe të gjitha institucioneve të tjera relevante të Republikës së Kosovës.

Hipokrizia e gazetës është treguar me thjeshtësi. Në një paradite të zakonshme gazeta drejtohet me shpifje ndërsa pasdite vjen një ofertë për marketing nga po e njëjta gazetë! A është ky shantazh?!!

-Një gazetë si “Nacionale” do të duhej të fokusohej për proceset-kohëzgjatjen, pengesat dhe fillimin sa më të shpejtë të zbatimit të projekteve – të cilat janë në të mirën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

-Një gazetë si “Nacionale” do të duhej të përkrahte lehtësimin e investimeve strategjike sipas proceseve ligjore.

-Një gazetë si “Nacionale” do të duhej të ndikonte pozitivisht në klimën ekonomike për të tërhequr investitorë të tjerë strategjik në Kosovë!

Mirëpo, fatkeqësisht akoma këto zvarritje të proceseve rezultojnë me konstatime se “puna tregon të vërtetën” e që nuk janë mjaftueshëm të vlefshme. Gjithashtu vlerësimi publik se “Heshtja është pohim” është i papranueshëm për “Kosmonte Foods” sh.p.k.

Prandaj “Kosmonte Foods” sh.p.k., vlerëson se është koha kur duhet të ndërpriten shpifjet dhe shantazhet ndaj saj duke ftuar institucionet e drejtësisë që të procedojnë me kallëzimet penale të përgatitura ndaj gazetës “Nacionale”.

“Kosmonte Foods” sh.p.k. është kompani e përkushtuar ndaj shoqërisë, duke fokusuar energjinë vetëm për të mirën e qytetarëve dhe përfaqësimin e vlerave të Republikës së Kosovës. Në degën qendrore të saj në Kosovë, nga 400 të punësuar, 40% prej tyre janë nga gjinia femërore, me 95% të punonjësve në administratë që janë nga gjinia femërore, çka dëshmon përkushtimin e kompanisë që t’u ofrojë një mundësi të barabartë të punës personave të gjinive, racave e religjioneve të ndryshme në të gjitha nivelet e kompanisë.

“Kosmonte Foods” sh.p.k. është një nga tatimpaguesit më të mëdhenj në Republikën e Kosovës. Ndër organizatat që “Kosmonte Foods” sh.p.k. mbështet janë Down Syndrome Kosova, Fëmijët Autik, SOS Fshatin e Fëmijëve, Shtëpitë e të Moshuarve dhe shumë, e shumë organizata e shkolla tjera – duke treguar se vlerat humane janë ato që karakterizojnë kompaninë “Kosmonte Foods” sh.p.k. – krenarinë e Republikës së Kosovës në rajon dhe botë.

PS. Ky artikull është i sponsorizuar dhe nuk pasqyron qëndrimin e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress. Çdo pretendim apo akuzë ndaj palëve të tjera është në përgjegjësinë e sponsorizuesit që ta vërtetojë ose dëshmojë para palëve të interesuara.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024