Helmimet në Han të Elezit, janë gjetur baktere si streptokoku dhe escherichia coli
Lexohet për: 3 min.
uji-2
2 vite më parë
Linku u kopjua

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës, ka bërë të ditur se mostrat e ujit që janë marrë për analiza fiziko-kikime në dy fshatra të Hanit të Elezit, kanë rezultuar në përputhshmëri me standardet e parapara me UA 16/2012.

“Për analiza fiziko-komike dhe bakteriologjike janë marrë mostra në fshatin Gorancë, tek rezervoari kryesor i cili futet me rënie të lirë në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe në disa shtëpi private që furnizohen me ujë nga ujësjellësi lokal i fshatit, të cilat janë analizuar në Qendrën Laboratorike Testuese në IKSHPK-së. Dy mostra të ujit të marra në fshatin Seqishtë dhe Gorancë me datë 11.07.2022, sipas aspektit fiziko-kimik janë në përputhshmëri me standardet e parapara me UA 16/2012”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim theksohet se nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezentë numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezentë numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale. “Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII”.

Përndryshe, brenda 24 orëve të fundit janë paraqitur 34 raste në AMF-në e fshatit Gorancë, dhe 13 raste në QKMF-ën e Hani Elezit. Të gjitha rastet ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhembje, mundim, vjellje dhe barkqitje.

Nga banorët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nuk ka të hospitalizuar dhe nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.

IKSHPK ka dhënë rekomandimet përkatëse:

1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, ligji “Parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve ngjitëse në Kosovë” (LNR: 02/L-109).

2. Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset tjera që kanë ujë të sigurtë.

3. Te instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor.

4. Te përcjellet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e Cl rezidual.

5. Marrja e të gjitha masave për njoftim dhe vetëdijësim të qytetarëve për situatën e krijuar.

6. Rekomandimi kryesor: Komuna pas përfundimit të instalimit të sistemit të klorizimit, vendosjes së orë-matëseve dhe sanimit të rezervuarit kryesor, të ia dorëzoj KRU “Bifurkacioni“-it në menaxhim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024