Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është i bindur se do të udhëheqin me qeverinë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai thotë se janë i hapur për bashkëpunim me partitë opozitare, derisa shton se 120 premtimet elektorale do t’i realizojnë brenda tre viteve të para në pushtet. Haziri thekson se lista e LDK-së është gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, ndërkaq edhe arsyeton mospërfshirjen e disa prej veprimtarëve të LDK-së, si Agim Veliu, Skënder Hyseni, Valon Murtezaj dhe Faton Bislimi.
Haziri në një intervistë për KosovaPress, thotë se LDK-ja ka rikthyer elektoratin e humbur në vitin 2021. Sipas tij, Partia Guxo, e formuar nga ish-zyrtarë të LDK-së, nuk ekziston më dhe se në krye të saj kanë mbetur vetëm funksionarët, por pa bazë elektorale.
Duke folur për koalicionet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai thotë se të gjitha partitë preferojnë një koalicion me LDK-në, mirëpo sipas tij, me partinë aktuale në pushtet, LVV-në është krijuar një hendek i madh.
Sa i përket listës së LDK-së të kandidatëve për deputetë, Haziri thotë se e njëjta është gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.Sipas tij, politika është një proces dhe nuk është akt që në një moment të caktuar të kërkosh të hyjsh në listë, e gjatë tërë kohës të qëndrosh anash.
Në anën tjetër, Haziri zotohet se 120 premtimet elektorale të LDK-së do të realizohen brenda tri viteve të para, përfshirë rritjen e koeficientit të pagave në 150 euro.