Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u zotua sot se këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret për viktimat e dhunës në familje. Ai u shpreh se grupi punues po bën një analizë të detajuar të gjendjes në Qendrat për Punë Sociale. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu informoi se janë në diskutim për planifikimin e një koncepti që mundëson punësimin e viktimave të dhunës në familje. Këto u bënë të ditura se në lansimin e projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”, ku u përmend edhe numri i madh i rasteve të dhunës në familje.
Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti u shpreh se secila përpjekje për drejtësi hap shtigje për emancipim dhe solidaritet.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se dhuna ndaj grave është një fenomen i rëndë, që i paraprin trajtimi i pabarabartë që nga fëmijëria.
Lufta ndaj dhunës, siç tha Haxhiu, kërkon përgjigje të të gjitha institucioneve e agjencive të përfshira.
“Së fundi, kemi diskutuar me Ministrinë e Financave, me ministrin Murati, jemi në fazat fillestare të planifikimit të një koncepti që do të adresojë punësimin e viktimave të dhunës në familje. Sepse, konsiderojmë që pavarësia ekonomike është jetike, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe prandaj jemi në diskutim me Ministrinë e Financave që ta gjejmë zgjidhjen për punësimin e viktimave të dhunës në familje”, tha Haxhiu.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power u shpreh se janë duke punuar nga viti 2016 në fushën e luftimit të dhunës ndaj grave.