Departamenti për krime lufte në Prokurorin Speciale të Kosovës ka ngritur 67 aktakuza për gjykim në mungesë në 62 raste ndaj 174 personave, nga të cilat 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka bërë shënuar rezultate të prekshme në adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës.
Kështu u tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media, e cila bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku shpalosën punën dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se gjatë mandatit të saj qeverisës janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e përgjegjësisë lidhur me krimet e luftës, veçanërisht në lidhje me gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë.
Ajo theksoi se duke qenë që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe terroristët, ka qenë i nevojshëm gjykimi në mungesë.Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë kësaj konference tha se Kosova nuk do të dorëzohet kurrë përballë mohimit, manipulimit apo përpjekjeve për të zbehur të vërtetën.
Ajo po ashtu theksoi se kanë qenë të detyruar të nisim nga e para, pasi në të kaluarën nuk ka pas vullnet për adresim të krimeve të luftës.
Tutje, ministri Çeku theksoi se një raport i grupit punues tash ka konstatuar se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbiaka shkatërruar afër 1800 monumente të trashëgimisë kulturore të Kosovës, e ka grabitur mbi 3700 artefakte, si dhe ka shkatërruar 175 biblioteka publike.
Ai madje njoftoi se nga viti i ardhshëm është planifikuar restaurimi dhe muzealizimit të Burgut të Prishtinës, ndërsa lidhur me ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës, tha se janë në pritje të një raport nga Universiteti i Prishtinës lidhur me zhvillimin e intervistimeve të familjarëve të këtyre fëmijëve.
Sa i takon kompleksit memorial të masakrës së Reçakut, ministri Çeku u shpreh se janë duke përgatitur detyrën projektuese, me qëllim që ai kompleks të kalojë përmes procesit të ri të ngjashëm me atë të kompleksit memorial të Prekazit.