900 raste të të mbijetuarve të dhunës seksuale kanë arritur të dokumentohen, ku prej tyre 96 për qind janë gra. Dokumentimi i këtyre krimeve të kryera në luftën e fundit në Kosovë, po konsiderohet i vështirë por i domosdoshëm. Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga QKRMT, me temën "Dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt: standardet dhe praktikat të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), u tha se institucionet kanë dështuar që të dokumentojnë këto krime. Ndërkaq, u theksua se aktualisht janë duke u hetuar 63 raste të dhunimeve seksuale.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se Serbia e ka përdorur armën e dhunimit seksual për të shkatërruar dinjitetin shoqëror.
"Shumë vonë pas më shumë se 10 vjet të përfundimit të luftës, shumë vonë, kanë filluar të trajtojnë seriozisht dokumentimin e krimeve të luftës. Së pari duke njohur statusin. Kuvendi i Kosovës shumë vonë e kishte njohur statusin e viktimave, madje atë ditë ka pasur diskutime që kanë qenë të papranueshme dhe që nuk janë pritur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ne kemi arritur që të njohim statusin e viktimave të dhunës seksuale. Pas një kohe shumë të gjatë është themeluar Komisioni Qeveritar që njeh statusin e personave të dhunuar...Dokumentimi i krimeve seksuale nuk është i lehtë, as për të mbijetuarit e këtij krimi, por as për ata të cilët janë të angazhuar në dokumentimin e këtyre krimeve, për shkak se kemi të shprehur mundësinë e ri-traumatizimit të të mbijetuarve”, tha Haxhiu.
Po ashtu, ajo ka folur edhe për rastet të cilat janë në proces të hetimit të personave që kanë kryer këtë krim. Sipas saj, Ukraina nuk duhet të ndjek shembullin e Kosovës për dokumentim, meqë për shkak të vonesës shumë nga të mbijetuarit kanë vdekur.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti ka folur për rëndësinë e dokumentimit të krimeve të dhunës seksuale. Ajo deklaroi se deri më tani kanë arritur të dokumentojnë 900 raste të të mbijetuarve të këtij krimi.
"Kosova tani përmes reperacionit administrativ, apo ndihmës direkte që ju jepet të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës, është praktikë e mirë dhe po ndahet edhe në vendet tjera ku fatkeqësisht gratë dhe burrat janë pre e fushëbetejës. Jemi mbledhur këtu nga Kolumbia e largët, Ukraina e cila po përballet me krimin e kësaj natyre e deri tek organizatat e rajonit, si Bosnja-Hercegovina, Serbia dhe organizatat lokale për të dëshmuar se krimet e dhunës seksuale si armë e luftës mund të dokumentohet dhe rëndësia pse duhet të dokumentohen. Pra, jemi pikërisht sot për të treguar se krimet e dhunës seksuale duhet të dokumentohen. Duhet të dokumentohen për faktin që këtyre grave dhe burrave të cilët e kanë përjetuar këtë krim, më vonë ju duhet dëshmi, qoftë për qasjen në drejtësi, qoftë për ndryshime ligjore, reparacion dhe për tu përfshirë në drejtësinë tranzicionale”, ka thënë Rushiti.
“Shpesh janë krime që mbesin pa dokumentuar. Në këtë perspektivë, tërë shoqëria kosovare, por edhe iniciativat rajonale që janë marrë me zbardhjen e të vërtetës, fatkeqësisht kanë dështuar të dokumentojnë këtë krim. Dhe kryesisht ne si organizata joqeveritare për të avokuar dhe bërë ndryshime ligjore dhe t’i njohim ligjërisht është dashur të thirremi në burime ndërkombëtare që kanë ekzistuar në Kosovë për ta shtuar përpara agjendën e të mbijetuarve të dhunës seksuale”, ka shtuar Rushiti.
Ajo shtoi se ende ky krim po mbetet i heshtur dhe i mbuluar me petkun e turpit.
"Të gjitha të mbijetuarat kanë të drejtë për drejtësi dhe kjo nuk është e garantuar, por është element i rëndësishëm për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Brenga e të mbijetuarve duhet të jetë në qendër të dokumentimit. Dokumentimi i ofron viktimave një zë, mbrojtja e viktimave-kryesisht u përmend mbrojtja e të dhënave dhe anonimiteti dhe së fundmi mbështetja psikologjike. Duke dhënë dëshmi, kjo është e dhimbshme dhe rreziku për rikthim të traumave është shumë i lartë, mbështetja psikologjike është e domosdoshme. Të luftojmë stigmatizimet e ndryshme dhe kjo duhet të bëhet në të gjitha nivelet. Këtu mendoj për stigmatizimin e anëtarëve të familjes dhe nga e tërë shoqëria. Gjithashtu mendoj edhe për ata që kemi në të gjitha shoqëritë, sistemin patriarkal të vlerave. Është një fenomen global që bie në sistemin patriarkal të vlerave. Dhuna është krim”, u shpreh ambasadori i Zvicrës.
QKRMT dhe organizata tjera partnere për tri vjet kanë mbledhur të dhënat për 900 të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka treguar të dhënat që janë mbledhur nga këto raste.
Nga këto 900 dokumentime, 99 për qind e rasteve të dhunimeve kanë shkaktuar pasoja psikike, ndërsa 85 për qind kanë pësuar lëndime fizike. Po ashtu, numri më i madh i dhunimeve ka ndodhur brenda shtëpisë ku kanë qëndruar viktimat dhe në 67 për qind të rasteve në fshatra. /Sh.Pajaziti