Haxhiu: Do të finalizojmë strategjinë për drejtësi tranzicionale
Lexohet për: 2 min.
Haxhiu
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me moton "Të rinjtë mbështesin viktimat e dhunës seksuale", është shënuar dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë.

Shënimi i kësaj dite ka filluar me një marsh në qendër të Prishtinës ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve.

E mbijetuara, Vasfije Krasniqi, synon që këtë ditë ta shndërrojë në forcë për të gjitha viktimat.

"Me ditën e sotme unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë e kurajë, tu jap forcë viktimave që zëri jonë të dëgjohet në tërë botën", ka thënë Krasniqi.

Në marsh ka marrë pjesë edhe Shyrete Tahiri Sulimani, një tjetër e mbijetuar e dhunës seksuale.

"Jam shumë krenare që shoh shumë të rinj e të reja këtu sot. E di që këta do të luftojnë çdo herë për neve, e nuk do të lënë qe me u harrua", ka thënë ajo.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se së shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale.

"Jemi bashkë e që bashkërisht ta ngrisim vetëdijen e shoqërisë për tmerrin që viktimat kanë përjetuar. Lufta në Kosovë pati pasoja të rënda. Mijëra gra dhe vajza, përfshirë edhe burra u dhunuan nga kriminelët e luftës. Përkujtojmë këtë ditë, do të njohim ndikimin e vazhdueshëm që krimet kanë tek viktimat. Si Ministri e Drejtësisë do të finalizojmë strategjinë për drejtësi tranzicionale", ka thënë Haxhiu.

Zyrtarizmi i 14 prillit si Ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës, është bërë në mbledhjen e mbajtur ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, me kërkesë të presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Osmani kishte theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025