Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përplasur me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për reformat në drejtësi.
Ministrja Haxhiu, në seancën e Kuvendit, ku po debatohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, tha se gjatë mandatit të saj do të përmbyllë reformat në drejtësi, përfshirë edhe finalizimin e vetingut.
Mirëpo, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, akuzoi ministren Haxhiu se nuk është e aftë për të drejtuar proceset e reformave në drejtësi.
Por ministrja Haxhiu, tha se për reformat në drejtësi nuk ka të drejtë të flasë deputeti i PDK-së.
“Personi i dënuar nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme. Sigurisht të tjerët do të thoni se nuk keni të drejtë të komentoni vendimet e Gjykatës Supreme, por ja që po i komentoj pasi për mua është e papranueshme që një personi që dënohet me burgim të përjetshëm lehtësisht të lirohet nga akuza. Prandaj reforma që kemi nisur si ministri janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha ajo./KosovaPress/