Hasani: Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi
Lajme
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte kambanë alarmi për të gjithë. Sipas tij, zhvillimet që ndodhën më pas janë burim i madh shqetësimi. Ai në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë theksoi se dialogu duhet të vazhdojë dhe nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme. Ministri i Jashtëm bëri të ditur se javën e ardhshme në Nju Jork do të organizohet takim kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve.

Në interpelancën e Kuvendit të Shqipërisë, Hasani u shpreh se Shqipëria nuk do të mbështesë asnjëherë dhe do të kundërshtojë çdo veprim që i fryn zjarrit të konfliktit.

“Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne. Për më tepër, zhvillimet që ndodhën më pas, janë një burim i madh shqetësimi. Fakti që në vend që të ndërmerrte një hetim të shpejtë, serioz e të plotë për atë grup, për lidhjet e tij, planifikimin, financimin dhe mbështetjen, Serbia vendosi të shpallë me nxitim një ditë zije për 3 kriminelë, synimi i të cilëve ishte cenimi më dhunë i rendit e sigurisë në Kosovë, ishte një sinjal jo vetëm i keq por dhe më i rrezikshmi, që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe mbarë komunitetit euro-atlantik.  Është një gjest që shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve, në Kosovë dhe rajon. Shkon ndesh edhe me deklarimet e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje e zgjidhje përfundimtare e afatgjatë”, deklaroi ai.

Në seancë plenare, Hasani shtoi se çdo përpjekje e Serbisë apo e kujtdo tjetër për ta relativizuar atë që ndodhi në 24 shtator, është e kotë dhe do të mbetet e dështuar.

Ministri i Jashtëm tha se i takon Serbisë të bëjë një proces hetimi të thellë, serioz, të gjithanshëm dhe të dalë me konkluzionet e nevojshme duke vënë fajtorët para ligjit.

Në deklarimin e tij, Hasani deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë ta ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik.

"Shqipëria do të vazhdojë të ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik", tha ai.

Ai u shpreh se Kosova është pjesë e agjendës në çdo takim e format, duke shtuar se javën e ardhshme në Nju Jork do të organizohet një takim në Këshill të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024