Qendrat e para të votimit në SHBA janë mbyllur tashmë në shtetet e Indianës dhe Kentakit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Të fundit do të mbyllen në orën 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.Në garë janë demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump.
Exit poll-et e para tregojnë se demokracia dhe ekonomia janë çështjet kryesore për votuesit amerikanë të cilët sot po zgjedhin presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara.
Rreth një e treta e votuesve kanë thënë se demokracia është çështja më e rëndësishme për ta kur vendosin se për kë të votojnë. Më pas vjen ekonomia.
Ekonomia ka qenë më parë në krye të listës së çështjeve që motivojnë votuesit dhe është renditur e para në exit poll për çdo zgjedhje presidenciale që nga viti 2008.
Në mesin e personave që votuan për Kamala Harris, pothuajse gjashtë në 10 persona e renditën gjendjen e demokracisë si çështjen e tyre numër një.
Kjo u pasua nga aborti, e pak më shumë se një në 10 zgjodhi ekonominë.
Një në pesë tha se migracioni ishte çështje kryesore. Pak më shumë se një në 10 njerëz thanë se ata kujdeseshin më shumë për gjendjen e demokracisë.
Qytetarët amerikanë sot zgjedhin edhe anëtarët e rinj të Kongresit.
Zgjatet votimi në dy zona në Karolinën e Veriut
Bordi i zgjedhjeve i Karolinës së Veriut ka mbajtur një takim urgjent dhe ka miratuar një gjysmë ore shtesë për të votuar në dy zona që thuhet se ishin përkohësisht të padisponueshme për votuesit të martën herët për shkak të problemeve teknike, raporton CNN.Zëdhënësi i bordit zgjedhor të shtetit, Patrick Gannon ka thënë se vendvotimi në qarkun Wilson kishte “disa probleme me printerin që bëri që votuesit të mos ishin në gjendje të votonin për një orë apo më shumë”.
Një problem me një laptop në Burke ka kontribuar në vonesë në një vendvotim të martën në mëngjes, ka thënë drejtori i zgjedhjeve lokale, Kenny Rhyne.
Shtetet që do të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve janë Nevada, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Arizona, Uiskonsini, Miçigani dhe Pensilvania.
Harris u bën thirrje amerikanëve që të votojnë
Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë. Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së i ka falenderuar mbështetësit e fushatës së saj derisa ka qëndruar në selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat në Uashington.
"Jam mirë" dëgjohej Harris duke i thënë një qytetari në telefon.
"Unë thjesht doja t'ju telefonoja dhe të sigurohesha se e dini ku mund të shkoni të votoni sot nëse nuk e keni bërë tashmë."
Amerikanët sot votojnë për zgjedhjet presidenciale që po konsiderohen historike.