Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të zbatojë obligimet e marra në dialog, mirëpo duke kërkuar anëtarësim të shpejtë në NATO.
Hardinaj tha se dakordimi për parimet e Asociacionit është i mirëpritur, por drafti i statutit të tij duhet të jetë në bazë të vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Parimet sikurse i keni pa janë të dakorduara, mirëpo ende s’ka statut të (Asociacionit). Ajo çka është publikuar janë parimet nga të cilat fillon obligimi i yni... Jemi dakord me i zbatuar obligimet tona, kuptohet ashtu siç vlerëson edhe Gjykata Kushtetuese. Nëse drafti ka shkelje kushtetuese, gjykata jonë apeloj tek gjyqtarët që të mbrojnë Kushtetutën...Këto parime ne i dina që muaj pasi ende s’është shkruar një draft statut. Këto parime ma merr mendja një 90 për qind të politikës së Kosovës i dinë me muaj të tërë. Ka dy vjet që këto parime qarkullojnë që nga vizita e parë e Escobar dhe Lajçak që kanë deklaruar se nuk do të negociohet integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetutshmëria. Këto janë parimet e ecjes përpara. Mirëpo do të ishte gabim nëse Kosova implementon këto obligime pa e marrë një ftesë të qartë në NATO”, tha Haradinaj.
Mirëpo, Haradinaj tha se Kosova do të gabonte nëse zbaton këto obligime në dialog pa marrë një ftesë të qartë për anëtarësim në NATO.
Këto komente Haradinaj i bëri pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, me rastin e ditëlindjes së 61-të të tij.