Haradinaj: Sunduesve i pengon liria e shprehjes dhe liria e mediave
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë.
Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.
"Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias", ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas tij, shqetësuese mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e instituicioneve kredibile ndërkombëtare.
“Qëndrojmë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë”, shkruan Haradinaj.