Anëtarësimi në NATO do të hapë rrugën për hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që opozita duhet ta largojë Albin Kurtin nga qeverisja aktuale pasi me antiamerikanizmin e tij, ai po e rrezikon vendin.
Kështu ka thënë kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30 Ramush Haradinaj në kuvendin e pestë zgjedhor të Organizatës të Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pejë.
“Bota është duke ecur në ritme shumë të shpejta dhe çështjen e sigurisë po shkon me dinamikë të vështirë. Ushtria jonë ka se çka i ofron NATO-s, i ofron kapacitetin e vet elitar. Ne mundëm të hyjmë në NATO pa na njohur Serbia. Ne me hy në NATO është edhe parimi që të mos e pengojë Serbia anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në 100- ditshin e parë ajo që ekziston sot si jo zyrtare por miqësore, diskutimi për çështje tona vetëm ka mbërri në nivel dhe ajo do të zyrtarizohet në Qeverinë e Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është edhe një goditje e interesave të armiqve tonë. Me hyrjen në NATO vjen edhe ekonomia”, ka thënë ai.
Kryetari i degës së OVL UÇK në Pejë, Gazmend Syla ka theksuar se Qeveria aktuale asnjëherë nuk ka ndihmuar veteranët e luftës.
“Përjetësisht mirënjohës që para 8 vjetëve ju më keni besuar mua të udhëheq organizatën e veteranëve të luftës. Qeveria nuk e ka kthyer kokën kah ne. Ka shkuar edhe në ofendim për pagën minimale. 11 vjet po i bën këtu Muhaxheri (Kryetari i Pejës), kurrë për një varr dëshmori nuk e ka kthyer kokën kah ne. Jemi e vetmja komunë që nuk ka raporte”, ka theksuar Syla.